Prishtina për fitore ndaj Cherkaskit

17 tetor 2018 | 10:18

Z Mobile Prishtina sonte (e mërkurë) do ta luajë ndeshjen e parë të këtij edicioni në FIBA Europe Cup. Trajneri i ri i kryeqytetasve, Damir Mulaomeroviq, ka thënë të martën, në një konferencë për medie, se skuadrën e kryeqytetit të Kosovës e pret një punë e vështirë, pasi Cherkaski Mavpy është një kundërshtar shumë i fortë.

“Të gjithë e dimë se skuadra ukrainase është e mirë, por lojtarët tanë kanë stërvitur shumë mirë gjatë këtyre 7-8 ditëve të fundit dhe besoj se do të japim gjithçka nga vetja për të arritur rezultat. Kundërshtari ynë është ekip shumë atletik. Nuk do të jetë lehtë, por besoj në këtë ekip dhe kemi punuar shumë për këtë ndeshje”, ka thënë trajneri Mulaomeroviq.

Në konferencë për medie ishte i pranishëm edhe kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha, i cili ka ftuar “Plisa”-t dhe shikuesit të jenë në numër sa më të madh për ta përkrahur skuadrën kryeqytetase drejt fitores.

“Jemi përgatitur mirë me trajnerin e ri që ka ardhur, duke ushtruar në mënyrë intensive. Lëndime nuk kemi dhe të gjithë lojtarët janë gati ta japin 100-përqindëshin. Ekipi i Ukrainës është shumë i fortë dhe luan fizikisht, prandaj kjo do të jetë një ndeshje e fortë. Ftoj ‘Plisat’ dhe shikuesit që të jenë në numër sa më të madh të na përkrahin, pasi është ndeshje e rëndësishme”, ka thënë Berisha. Në grup me Prishtinën dhe Cherkaski Mavpy e Ukrainës janë edhe Bakken Bears nga Danimarka dhe Steaua nga Rumania.

/Liridon ZEQIRI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Po i japim fund edhe gjendjes jo të mirë në…