Prishtina, për fitore ndaj Legias
Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, sonte (e martë) e fillon rrugëtimin në garat evropiane. “Bardhekaltrit” nga ora 20:00 do të ballafaqohen me Legian në rrethin e parë në Basketball Champions League.
Kundërshtari është shumë i fortë por, sidoqoftë, Prishtina nuk dorëzohet. Trajneri Bujar Loci dhe Dardan Berisha kanë thënë se do ta japin maksimumin në këtë sfidë, edhe pse nuk do ta kenë lehtë. “Ne do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mirë. Edhe pse Leagia është një skuadër shumë e fortë ne do ta japim maksimumin”, ka thënë Loci për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndërsa Dardan Berisha është optimist para sfidës së parë. “Tashmë jemi të kompletuar dhe po përgatitemi për ndeshjet ndaj Legias. Ndeshja e parë zhvillohet në shtëpinë tonë dhe me ndihmën e publikut, nëse arrijmë rezultat pozitiv, atëherë gjithçka është e mundur. Gjithsesi edhe nëse eliminohemi nga kjo garë, do të luajmë në FIBA Europe Cup. Dihet se synimet e Prishtinës gjithmonë janë të mëdha dhe ne do ta japim maksimumin”, theksoi Berisha për faqen e FBK-së. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 17 shtator në Prishtinë, kurse ajo e kthimit më 20 shtator në Poloni. Nëse skuadra e Prishtinës e kalon Legian e Varshavës, atëherë do të ballafaqohet me skuadrën ruse Nizhny Novgorod. Ndeshjet ndaj skuadrës ruse do të zhvilloheshin më 26 dhe 29 shtator. Nëse Prishtina e kalon edhe këtë kundërshtar do të luajë në grupe. “Bardhekaltrit” do të jenë në Grupin C. Në Grupin C do të luajnë Riga, Peristeri, Gaziantep, Tenerife, Cez Nymburk, Bamberg dhe fituesi Benfica/Groningen/Mornar. Pra, Benfica do të ndeshet me Groningenin e më pas fituesi me Mornarin dhe fituesi kualifikohet në Grupin C. Në grupe do të jenë 32 skuadra, që janë ndarë në katër grupe me nga tetë ekipe, ku katër të parat kalojnë tutje.
/Epoka e re/