Prishtina, për kualifikim në rrethin e dytë

19 korrik 2018 | 11:13

Skuadra më e madhe në Kosovë, Prishtina, është e gatshme për ndeshjen e dytë ndaj Fola Esch që të kualifikohet në raundin e dytë të Ligës së Evropës, atje ku e pret skuadra e Genkut. Trajneri Mirel Josa dhe kapiteni Armend Dallku kanë shfaqur optimizëm në konferencën për medie, por kanë kërkuar që skuadra të jetë e përqendruar, pasi kundërshtari ka përvojë ndërkombëtare dhe mund të jetë i rrezikshëm në çdo rast.

FC Prishtina është e gatshme për hapin e madh në ndeshjen kthyese të raundit të parë eliminator në Ligën e Evropës. Në fakt, Prishtina, e cila është fituese e Kupës së Kosovës, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë ndaj Fola Esch në stadiumin “Emile Mayrisch” në Luksemburg, sonte (e enjte), me fillim nga ora 19:00, synon fitoren në ndeshjen kthyese dhe kalimin në raundin e dytë. Një ditë para ndeshjes që zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, skuadra e Prishtinës e ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit, më pas ka mbajtur edhe konferencë për medie.

Trajneri Mirel Josa ka thënë se rezultati nga ndeshja e parë është i mirë, por kryeqytetasit e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm për faktin se kundërshtari ka një përvojë më të madhe në arenën ndërkombëtare. “Kundërshtari ka përvojë më të madhe se ne, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë. Skuadra duhet të jetë e kontrolluar, sepse një gabim i vogël mund të na kushtojë dhe na duhet punë e madhe për ta kthyer rezultatin. Një futboll shumë afër njëri-tjetrit dhe të jemi të rrezikshëm përpara në sulm. Është një rezultat i mirë për ne nga ndeshja e parë, por më i mirë do të ishte barazimi me gola. Çdo gjë do të varet nga përqendrimi i skuadrës dhe posedimi i topit. Nuk duhet t’ia japim iniciativën kundërshtarit. Jemi të gatshëm të luajmë edhe 120 minuta nëse është e nevojshme”, ka thënë Josa.

Në konferencën për medie ishte i pranishëm edhe kapiteni Dallku, i cili është lojtari me përvojën më të madhe në skuadrën e Prishtinës. Ai e ka vlerësuar Folan si skuadër mjaft të fortë, por konfirmon se tashmë kanë njohuri për pikat e forta të kësaj skuadre dhe se do të përpiqen që mos të bëjnë gabime në repartin e mbrojtjes.

“Pak e shumë e njohim kundërshtarin, e dimë konkretisht se ku është rreziku. Maksimalisht jemi përqendruar në mbrojtje. Me rëndësi është që të mos na marrë euforia. Është krijuar bindja se e kemi mundur ekipin paraprak 5:0 dhe mund të fitojmë prapë”, ka thënë Dallku, duke shtuar: “Stafi teknik ka punuar që të jemi të vëmendshëm, kurse rezultati 0:0 ndonjëherë nuk është i favorshëm dhe i rrezikshëm. Kundërshtari ka përvojë në kupat evropiane, por ne do të punojmë që lojtarët të jenë të përqendruar gjatë tërë lojës. Një ndeshje tjetër në krahasim me atë me Europa FC. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë ato raste që na vijnë”. Ndeshjen e sotme do ta drejtojnë katërshja e gjyqtarëve nga Zvicra, të prirë nga Urs Schnyder, Jan Kobeli, Efe Kurnazca dhe Alain Bieri. Ndërsa delegat i ndeshjes është danezi Steen Michael Dahrup. Prishtina, nëse arrin të kualifikohet për fazën tjetër, do të luajë ndaj skuadrës së madhe belge Genk.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kërkesën për…