Prishtina, përkatësisht Përparim Rama apo Arben Vitia, përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve lokale 2021

11 nëntor 2021 | 17:00

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Garë e fortë për Prishtinën: Asnjëherë  më parë nuk kishte garë më të fortë dhe kandidatë më ambiciozë për kryetarë të Prishtinës se që kishte në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021. Ishin katër (4) kandidatë që e vulosën këtë garë dhe që i dhanë hijeshi kësaj gare, secili nga ana e vet që e dallonte nga të tjerët . Duhet të pranohet se ishte garë korrekte, pa fjalë të rënda, fyese dhe duke respektuar dinjitetin e kandidatit kundërshtar e që nuk ishte dukuri e zgjedhjeve të mëparshme. Në garën e katër (4) musketirëve kisha një siguri të luhatshme se Arben Vitia do të fitojë pa balotazh për faktin se Përparim Rama ishte lojtar i ri, i paprovuar më parë, pa një angazhim politik më herët dhe pa fanellë partiake të përziera me djersët e LDK-së. Ndonëse Uran Ismaili bëri një fushatë mbresëlënëse dhe pati një angazhim të jashtëzakonshëm, të paparë deri më tani, shkaku se PDK-ja nuk kishte gjasa të fitonte kredite për ta marrë Prishtinën, Urani e bëri punën e Sizifit, por që arriti ta rrokullisë  gurin thuaja deri në pikën e dëshiruar. Ishte pengesë e pakapërcyer për të pikërisht partia ndonëse bëri një revolucion të të bërit fushatë . Edhe Daut Haradinaj bëri fushatë të mirë dhe serioze duke u angazhuar tërë kohën në fushat, jo për të fituar sepse e kishte të qartë se ishte mision i pamundur, por qëllimi i tij ishte të rrisë votat e AAK-së në kryeqytet, që edhe e arriti, për t’u bërë “king maker” në përcaktimin e fituesit për Prishtinën, duke ia vënë lëkurës së tij një çmim bukur të lartë . Me fjalë të tjera, Daut Haradinaj po e luan rolin e një lojtari që nga bankina e  rezervistit e shënon golin e fitores, disi si Armando Broja tash, apo Paco Alcaser dikur. Të shohim tash profilet politike dhe profesionale të dy musketirëve të mbetur në lojë për të parin e Prishtinës e që realisht mund të llogaritet thuaja i barabartë me të parin e Kosovës.

1. Përparim Rama: Familja e Përparim Ramës, e rënë nga Gollaku ka jetuar një kohë në Podujevë. Si bajgorali i llapjanizuar, rininë e hershme e kam mbijetuar në Podujevën e sunduar nga shovinistët ardhacakë serbë nga Serbia (kolonistët) që ishin vendosur në qendër të Podujevës ku familja e Shaban Bajgorës – Shalës ishte enklava e vetme shqiptare. Në ato kohëra Podujeva ishte si trekëndëshi i Bermudeve sa i përket pronësisë mbi tokat; ishin blakçorët e fshatit Letanc, blakçorët e lagjes së Blakçorëve në të dyja anët e lumit Llap dhe brecalitë në lagjen e Brecalive që e kishin një pikë strategjike të rëndësishme. Banorët e sotëm të Podujevës dhe ata që pas viteve të ’60-ta që tash jetojnë, kryesisht në Prishtinë, pronat ku kanë ndërtuar shtëpitë i kanë blerë kryesisht nga këta tre zotërues thuaja të gjitha tokave të Podujevës. Ishte edhe një lagje e Fushalive që ka qenë e vogël dhe e cila ka mbetur kompakte thuaja deri në ditët e sotit.

Edhe serbët kolonistë që i morën tokat më të mira, i morën nga brecalit dhe blakçorët që pushteti komunist- çetnik ua konfiskoi pas përfundimit të luftës. Familja e Përparim Ramës kishte shtëpitë në rrugën kryesore të Podujevës, poshtë stacionit të autobusëve . Përparimin nuk e njoh, por e mbajë mend gjyshin e tij që ishte kryetar i parë shqiptar i komunës së Podujevës. E njoh edhe babain e Përparimit, Kadrushin që ishte një profesor arti dhe që, për shkak të konstruktit fizik e konsideronim, fillimisht si Odisenë dhe Herkulin dhe kur mësuam se e kemi Skënderbeun, e konvertuam në Skënderbe. Po e shihni që edhe Përparim Rama është vazhdimësi fizike por edhe artistike e babait të tij, Kadrush Rama. Si banor i hershëm i Podujevës në kohën kur familjet e “urbanizuara” ishin të pakta dhe njiheshin shumë mirë, besa që e kalonin shumë mirë mes vete dhe si çdo banor i atëhershëm i Podujevës për familjen e Përparim Ramës ka kujtimet më të mira dhe nuk më kujtohet që dikush të ketë pësuar, në asnjë formë nga kjo familje. Familje me intelektualë të shumtë dhe me integritet njerëzorë dhe moral, fqinj të shkëlqyeshëm dhe jo fort të dhënë pas politikës.

Me Xhavitin ishim shokë të gjeneratës, me Favziun e ndjerë luanim futboll, bashkë me çitakët, muçollët dhe vokrrollët. Në atë kohë kalonim aq mirë me këto familje që fitohej përshtypja se kishim krijuar lidhje gjaku, nuk martoheshim mes veti . Edhe pas 60 vjetëve, pasardhësit e këtyre familjeve e ruajnë një respekt të ndërsjellë.

Përparim Ramën nuk e njoh personalisht , e njoh si profesionist që ka krijuar emër në profesionin për të cilin ka emër dhe besueshmëri në saje të rezultateve që i ka arritur, kryesisht në Angli. E vlerësoj se është kandidati më i pavarur që garon nën flamurin e një subjekti politik – LDK-së. E ka një përparësi të madhe se në dejtë e tij nuk ka gjak të partive politike. Madje, mund edhe të gaboj mendoj se nëse e fiton Prishtinën, do të bëhet kryetar konsensual për të gjithë qytetarët e Prishtinës, edhe ata që janë pjesë e LV-së. E kanë nënçmuar për faktin se kanë menduar se nuk ka njohuri politike,  e që për rrethanat tona kur të gjithë jemi politikanë, madje edhe ekspertë të politikës globale është e paimagjinueshme që një kryetar i Prishtinës të mos jetë politikanë i shquar. Konfuçi thoshte se: “nëse shkoni me qëllim të hakmarrjes , hapini dy varre …”.

Edhe në rastin e Përparim Ramës nëse e nënçmoni në planin e njohurive politike atëherë do ta pësoni keq, sikur në debatin televiziv. Duhet ta keni të qartë se shqiptarët që jetojnë në botën e jashtme, për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë, domosdoshmërisht merren me politikë dhe janë shumë mirë të informuar. Mirëpo, jam i sigurt se Prishtinës nuk i duhet një politikan i mirë sa që i duhet një profesionist dhe menaxher i mirë.

2. Arben Vitia: Me Arben Vitinë e kam një lidhje jo shumë të afërt familjare dhe e njoh personalisht. E njoh për person të sjellshëm, të edukuar, elokuent dhe inteligjent. Në mandatin e parë, si ministër i Shëndetësisë ishte model, jo vetëm për shkak të mindilit, por pikërisht për ato që i përmenda më lart. Ishte kohë shumë e shkurtër për ta treguar veten ndërsa në mandatin e dytë që gjithashtu ishte ministër i Shëndetësisë  ishte në kohë të keqe për faktin se numri i të infektuarve nga Covid -19 u rritë shumë sikur edhe i viktimave. Kjo rritje dhe këto pasoja nuk ishin rast i izoluar vetëm për Kosovën por thuaja në të gjitha vendet e botës. Ishte një situatë gjeneralisht e përkeqësuar. Edhe shtetet shumë më të zhvilluara, më të qëndrueshme dhe me një mjekësi shumë të përparuar thuaja se u dorëzuan para pandemisë e lëre më Kosova . Tash, ishte një kohë e shkurtër për ta bërë një rivlerësim, nga ministër model , në një ministër të dështuar.

Nga një ministër që përmendej vetëm për gjëra të mira në një ministër që thuaja identifikohej si kriminel. Nga një ministër mindili në ministër Vdekja. Arben Vitia nuk ishte dhe nuk është si dr. Xhekilli që brenda një kohe të shkurtër transformohet nga i miri në të keqin. Po ky është fati i politikanëve , janë material shpenzues dhe cak për të gjithë gjuetarët, të opozitës dhe të tjerëve. E kam përshtypjen se Arben Vitia, me vullnet nuk është bërë as ministër i Shëndetësisë sikur që me vullnet nuk do të pranonte as kandidaturën për kryetar të Prishtinës. Po është çështje e vlerësimit të partisë dhe kur jeni anëtar i një partie nuk keni aspak hapësirë t’i shpalosni dëshirat tuaja . Ose e pranoni ose e refuzoni. Nëse  e refuzoni atëherë e pati puna e karrierës suaj, në atë subjekt politik.

Nëse Përparim Rama është i pavarur politikisht dhe partiakisht, Arben Vitia nuk është në atë pozitë, prandaj i shkakton telashe. Është e vërtetë që Arben Vitia e ka përkrahjen e plotë të LV-së dhe për LV-në është jetike ta fitojë Prishtinën, por se në momentin aktual nuk janë momentet më të mira për Arben Vitinë shkaku se e ka përballë një kundërshtar që profesionalisht është i maruar për kryetar të Prishtinës. Pikërisht kjo i dha epërsi të madhe Përparim Ramës në debatin e parë në “Rubikon”. Tash ka mbetur edhe debati i dytë në “Kallxo” dhe do të qartësohet situata më shumë ndonëse mendoj se votuesit tradicionalë nuk ndikohen, as nga sondazhet e as nga debatet televizive.

Jam i sigurt se PDK-ja anipse nuk ka nënshkruar marrëveshje me LDK-në , do ta përkrahë në rastin konkret Përparim Ramën dhe kandidatët e LDK-së në komunat tjera sikur që edhe LDK-ja do ta përkrahë kandidatin e PDK-së në komunat ku janë në balotazh. Nëse votuesit do të jenë të disiplinuar dhe të dëgjojnë partinë, Përparim Rama do ta fitojë Prishtinën  sikur që PDK-ja do ta fitojë Prizrenin. Do të jetë shumë interesant  rezultati i zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës; nëse LV-ja e fiton Prishtinën, me 50 për qind të votave në nivel qendror e ka pushtetin në tërë Kosovën për faktin se Prishtina është përcaktuese për pushtetin lokal. Nëse e fiton Prishtinën LDK-ja, atëherë është një rikthim i fuqishëm e LDK-së pas një debakli në zgjedhjet e përgjithshme e që do të ndikojë në konfiguracionin politik edhe në nivel qendror. Aq më parë që LDK-ja pritet të fitojë edhe disa komuna. Në një mënyrë rikthimi i LDK-së ka qenë i pritshëm pasi edhe ndarja ishte aksidentale. Për mua ishte dhe është befasues rikthimi i PDK-së aq më parë që u godit shumë nga Gjykata raciste Speciale.  Përfundimisht, Arben Vitia nuk mund të demonizohet për shkak të rasteve të rritura të të prekurve nga Covid -19 e as shkaku i viktimave për faktin se në fund të mandatit të tij numri i viktimave u ul nën 20 dhe thuaja nuk kishte viktima. Ishte ky trendi në Kosovë dhe thuaja në të gjitha vendet e botës.

Të dielën është gara midis një aktivisti të regjur politik, Arben Vitisë dhe të Përparim Ramës, një profesionisti të regjur thuaja apolitik dhe votuesit e përcaktojnë fituesin. Tradicionalisht votuesit në Prishtinë, më shumë kanë qenë të përcaktuar ta votojnë kandidatin e preferuar se të preferuarin e politikës apo të partisë. A do të jetë kështu edhe në këto votime, do ta shohim. Duket se erërat po fryjnë drejt Përparim Ramës.

Sido që të jetë dhe kushdo që të jetë fitues, jo që nuk do ta kenë të lehtë ta këndellin Prishtinën e hiroshimizuar, sidomos jo vetëm gjatë një mandati, përkundrazi do të përballen me vuajtjet e Tantalit. Mos qofsha në lëkurën e asnjërit dhe sinqerisht po e them se në këtë rast. Më fitues do të jetë humbësi i zgjedhjeve se ai që i fiton zgjedhjet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Sadik Zeqiri Ish-i burgosuri politik Isak Shabani, lindur më…