Prishtina pësoi humbje në sekondat e fundit
Përballje fantastike është zhvilluar të martën në Prishtinë ndërmjet kampionit të Kosovës, Sigal Prishtinës dhe skuadrës së njohur polake, Legia Varshava në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Bardhekaltrit kanë pësuar humbje me rezultat 79:81 (23:19, 14:25, 32:17, 10:20), në një takim, me shumë kthesa dhe që vendasit shumë lehtë kanë mundur të fitojnë, sikur Mikaile Tmusiq të shënonte në fund.
Prishtinasit e nisën mirë ndeshjen, duke treguar dëshirën për fitore dhe çerekun e parë e fituan 23:19. Sidoqoftë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe periodën e dytë e fituan 14:25. Në çerekun e tretë, bardheklatrit ishin të jashtëzakonshëm, duke përmbysur gjithçka (32:17), por çereku i fundit ishte fatal. Legia hyri në një serie 14:0, por Prishtina nuk u dorëzua dhe luftoi deri në fund, duke barazuar shifrat në 79:79. Tek rezultati 79:81, aksioni i fundit ishte i vendasve, por gjuajtja për tre pikë e Tmusiq nuk ishte e saktë.
Te Prishtina, Fahro Alihoxhiq kishte 20 pikë e 12 kërcime, Dardan Berisha 18 pikë dhe 11 asistime, Mikaile Tmusiq 17 pikë dhe Divine Myles 13 pikë e shtatë asistime, derisa te Legia u dallua Michael Finke me 26 pikë.
Ndeshja e kthimit zhvillohet më 20 shtator në Varshavë, ku do të vendoset se kush do të kualifikohet tutje.