Prishtina pëson humbje nga Pallacanestro Vareses
Prishtina e ka humbur në çastet e fundit ndeshjen e parë të 1/8 së finales kundër Pallacanestro Vareses në FIBA Europe Cup të mërkurën në Prishtinë.
Klubi italian i mposhti bardhekaltrit 80:77 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Europe Cup, me ndeshjen e kthimit pas një jave në Itali që do ta përcaktojë çerekfinalistin, raporton Gazeta Express.
Prishtina e nisi keq takimin, duke e humbur çerekun e parë 12:25, por u rikthye fuqishëm në dy çereket na vazhdim duke i fituar 20:12 dhe 28:15, respektivisht.
Dhe kur u duk se klubi nga kryeqyteti do ta fitonte ndeshjen e parë në shtëpi ndaj italianëve, ndeshja mori kahje tjetër.
Varese e fitoi çerekun e fundit 28:17, duke e siguruar fitoren në momentet e fundit.
Dardan Berisha ishte më i mirë te Prishtina me 21 pikë, ndërsa tek italianët Dominique Archie realizoi 22 pikë.