‘Prishtina qendër e kulturës, Drenica zonë me fshatarë’, ish-diplomati amerikan tregon në Hagë bisedat me Surroin, Shalën e Kurtin
Gjatë punës së tij në Kosovë, ish-diplomati amerikan, Shuan Byrnes, ka thënë se kishte dëgjuar për ndasitë që i bënin intelektualët e Kosovës në mes të Prishtinës dhe Drenicës.
Madje, Byrnes ka thënë se njëri prej këtyre personave i ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një grup rebelësh, fshatarësh kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), qytetarëve që përfaqësoheshin nga Ibrahim Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Tha që UÇK-ja përfaqësonte një njësi apo grup rebelësh, fshatarësh kundër LDK-së dhe përfaqësues urban, qytetarë dhe të sofistikuar të cilët përfaqësoheshin nga presidenti Rugova”, ka thënë Byrnes si dëshmitar në Hagë në rastin e liderëve të UÇK-së, duke theksuar se nuk i kujtohet emri i këtij personi, mirëpo e kishin takuar në qytet.
Dëshmitari ka thënë se ata po përpiqeshin të mblidhnin sa më shumë informata për UÇK-në.
“Në atë pikë ne po përpiqeshim që të mblidhnim sa më shumë informacion që të krijonim një panoramë për UÇK-në dhe i vetmi vështrim, e vetmja perspektivë që kishim ne në atë kohë ishte fakti që ekzistonte një grup në Drenicë që ishte UÇK. Ne nuk kishim asnjë lloj kontakti tjetër me ata që më pas neve na rezultuan të ishin zona. Pra, ne nuk dinim dhe nuk kishim kontakte lidhur me zonat”, ka thënë dëshmitari.
Byrnes ka thënë se burimi i informacionit ishte më i gjerë se njohuritë që kishin anëtarët e KDOM-it, kurse shtoi se këta intelektualë flisnin për ndasitë në mes Prishtinës dhe Drenicës.
Sipas tij, atij i ishte thënë se Prishtina ishte qendër e lartë e kulturës së vendit, ndërsa Drenica një zonë e largët që përbëhej me fshatarë.
“Kjo përgjigje vjen nga ky grupi i fundit, pra nga ky grupi i sofistikuar që ishin kryesisht të rinj, shqiptarë të Kosovës të rinj, të miredukuar, gazetarë, persona, si për shembull: Blerim Shala, Veton Surroi i ‘Kohës Ditore’, persona të kësaj natyre. Albin Kurti po ashtu që në atë kohë punonte për Adem Demaçin. Persona të tillë, pra me këto cilësi”, ka thënë ai.
Byrnes ka thënë se një gjë që i kishte thënë njëri prej tyre, i kishte mbetur në mendje.
“Njëri prej tyre më tha në një pikë dhe kjo është diçka që nuk do ta harroj kurrë, e kam ngulitur në mendje. Ata flisnin për ndasitë, dallimet tradicionale, kulturore ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës. Prishtina ishte qendra dhe institucioni qeveritar, aty gjendej edhe Universiteti i Prishtinës. Në njëfarë kuptimi ishte qendra e kulturës së lartë të vendit. Ndërkohë, që sa i takon Drenicës, Drenica ishte një zonë e largët në disa kuptime në atë kohë që sipas mendimit të tyre dominohej ose përbëhej nga fshatar”, ka thënë dëshmitari.
Përpara kësaj, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts i ka lexuar dëshmitarit pjesë nga deklarata e tij e dhënë për ZPS-në ku fliste për “Grupin e Drenicës”, të cilët i kishte përshkruar si me pikëpamje nacionaliste dhe se në Prishtinë kishte fikë se këta persona do ta merrnin në dominim qytetin.
“Ne e patëm kuptimin që ekzistonte një grup që quhej ‘Grupi i Drenicës’, i cili ishte i zgjuar edhe i mençur. Kemi dëgjuar për njerëz të sofistikuar që flisnin për ndarjen urbane të vendit dhe ndarjen Drenicë-Prishtinë. Udhëheqja e ‘Grupit të Drenicës’ ishte shumë nacionaliste dhe ideologjike. Prishtina ishte e sofistikuar dhe urbane dhe këta njerëz kishin frikë se ata nga Drenica do të merrnin përsipër Prishtinën. Ne kemi punuar në mënyrë efektive jashtë Prishtinës dhe jemi shoqëruar me njerëz të ri të arsimuar dhe të respektueshëm”, ka lexuar Roberts pjesë nga deklarata e dëshmitarit dhenë ZPS-së.