Prishtina regjistron humbjen e tretë radhazi, ky është reagimi i Munishit
Trajneri Ismet Munishi është ankuar prapë në referim, pas derbit mes Prishtinës dhe Dritës. Trajneri i kryeqytetasve konsideron se në dëm të ekipit të tij u dha një penallti e lehtë, sipas tij e paqenë.
Sipas tij, Bardhekaltrit po dëmtohen sistematikisht dhe me këtë rast po e ka të vështirë t’i motivojë lojtarët e tij.
“Penalltia ishte e kallajshme, është loja e satë që kemi kësi probleme. Duhet me pas kujdes në ndeshje derbi, edhe pse kam respekt për Dardanin. Po na ndodh që disa ndeshje me radhë. Drita ka ekip të mirë, nuk ka nevojë për ndihmë. Po e kam problem t’i motivoj lojtarët. A referohet kjo penallti në ndeshje derbi? A referohet në Angli?”, deklaroi Munishi pas lojës për Artmotion.
“E kemi një bindje që nuk po na gjykohet drejt. Kemi ardhur ta ngritim klubin, është një sakrificë e madhe e donatorëve, e lojtarëve, e trajnerëve, e të gjithëve në klub. Po kërkojmë veç ‘fair-play’, asgjë më shumë. Ai rast ishte më shumë faull në portier sesa penallti”, vazhdoi trajneri i njohur kosovar.
Prishtina e pësoi humbjen e tretë radhazi në Superligë duke mbetur prapa Top 3, e cila çon në garat evropiane.