Prishtina shkatërroi Dukagjinin
Është zhvilluar edhe ndeshja e fundit e ditës së sotme, ku Prishtina ka shënuar fitore në duel me Dukagjinin, me rezultat 4:1, për ta ruajtur pozitën e dytë edhe pas kësaj jave.
Megjithatë, deri te kjo fitore bardhekaltrit e kryeqytetit erdhën më vështirë se sa ishte menduar, ngase deri në minutën e 68-të rezultati ishte i barabartë, 1:1.
Rezultatin e zhbllokoi Otto John me golin e shënuar me kokë pas harkimit të Armend Thaçit në minutën e 30-të. Baraspeshën në rezultat e riktheu Altin Merlaku po ashtu me golin e shënuar me kokë në minutën e 43-të.
Sidoqoftë, rezistencës së mysafirëve u dha fund sulmuesi me përvojë i prishtinasve Ahmet Januzi, i cili shënoi në minutën e 68-të, derisa më pas dilemat e fitores i hoqën Meriton Korenica dhe Kreshnik Uka me golat e shënuar në minutat 85’ e 88’.