Prishtina sot ‘ndez’ motorët për edicionin e ri
FC Prishtina, pas një pushimi dhjetëditorë, sot (hënë) i fillon përgatitjet për edicionin e ri futbollistik 2019/2020.
Kryeqytetasit e Kosovës e mbyllen një edicion pa trofe, pasi humbën garën me Feronikelin për titull dhe Kupë, kurse janë eliminuar herët nga Liga e Evropës. “Prishtina të hënën nis fazën përgatitore për edicionin e ri të kampionatit 2019/20. Skuadra nuk do të jetë tërësisht e kompletuar deri të martën apo të mërkurën kur disa nga futbollistët kthehen nga pushimi jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
Në skuadrën “bardhekaltër” do të provohen tre futbollistë, në mesin e tyre një brazilian, një jugkorean dhe shqiptari nga Kroacia, ish-anëtari i kategorive të reja të Osijekut, Adem Jahaj. Ndërsa si futbollist i ri i skuadrës do të prezantohet ish-futbollisti i deritanishëm i Vëllaznimit, anëtari i grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës, Arti Maloku.
FC Prishtina të dielën ka njoftuar edhe ndarjen me mbrojtësin e majtë, Abdul Bashiru dhe mesfushorin Donat Hasanaj. Prishtina njoftoi se marrëveshja ka qenë e dyanshme për ndërprerjen e kontratës me 27-vjeçarin nga Gana. Ndërsa 20-vjeçari Hasanaj që ka dalë nga Shkolla e Futbollit të Prishtinës, karrierën do ta vazhdojë në skuadrën e Dritës nga Gjilani.