Prishtina synon titullin dhe Kupën

18 maj 2020 | 19:46

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku është mjaft i lumtur që klubet e futbollit në vendin tonë do të lejohen të stërvisin pas një kohe të gjatë.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me IKSHPK sot ka dhënë dritën jeshile që klubet kosovare të fillojnë stërvitjet – duke bërë kështu një hap drejtë rikthimit të Ipko Superligës së Kosovës.

Dallku thotë se skuadra e tij ka kërkuar gjithmonë që të rikthehet futbolli, andaj është i lumtur që kjo do të ndodhë.

“Ne prej fillimit kemi qenë pro rikthimi. Nuk kemi qenë vetëm ne, por edhe disa klube të tjera – përveç atyre që kanë pas interes personal dhe normalisht kanë qenë kundër. Ne normalisht që kemi qenë pro, pasi gara bëhet për të luftuar dhe për të luajtur brenda fushës. Kam pa shumë komente pa kuptim nga disa persona dhe analistëve në thonjëza, ku kanë folur për kthimin apo anulimin e kampionatit. Kjo ka qenë e pakuptimt pasi asnjë nga ne nuk jemi të thirrur për të marrë këso vendime, pasi dihet kush e ka pas të drejtën ekskluzive për këtë vendim. Ne mendojmë që gjithçka që ndodhjë brenda fushës do të jetë korrekte, si për klubet që luftojnë për kreun e tabelës – ashtu edhe për ekipet që luftojnë mbijetesë”, ka thënë fillimisht Dallku për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, trajneri i Prishtinës theksoi se lojtarët janë njoftuar për t’u kthyer në kryeqytet dhe klubi mund të fillojë stërvitjet që nga sot.

“Kam pas kontakt të vazhdueshëm me lojtarët dhe kemi kërkuar nga ta që të stërviten individualisht, ndërsa pas relaksimit të masave kemi stërvitur me nga dy, tre apo katër lojtarë në grupe të vogla. Pasi shumica e lojtarëve janë në rrethinë të Prishtinës, ne sot i kemi lajmëruar ata që të vijnë në kryeqytet dhe të bëhen gati për punë. Ne mendojmë që qysh sot të fillojmë fazën përgatitore që të jemi sa më të gatshëm për rifillimin e kampionatit”, vazhdoi ai.

Në fund, Dallku tha se qëllimi i Prishtinës mbetet i njejtë, pra triumfi në Superligë dhe në Kupën e Kosovës.

“Ne dhe Ballkani kemi qenë dy ekipet nga kreu i tabelës që kemi luftuar në dy fronte, kështu që ne kemi qenë pro vazhdimit. Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën dhe të shpallemi kampion në Superligë”, përfundoi Dallku.

Vlen të theksohet se për rikthimin e Superligës nuk ka akoma një datë të saktë – por mendohet se mund të jetë fillimi i muajit qershor – data kur ne mund t’i shohim klubet në aksion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubet e Premier Ligës janë zemëruar pasi që do të…