Prishtina synon vazhdimësinë e fitoreve, Dukagjini befasinë

25 shtator 2019 | 11:19

FC Prishtina po synon të paraqitet dhe të shënojë fitore ndaj Dukagjinit ashtu sikurse bëri në përballjen e fundit ndaj Gjilanit, kurse me synime të mëdha drejt kryeqytetit udhëton edhe skuadra e Dukagjinit, e cila po beson se mund ta marrë maksimumin e pikëve. Kjo është ndeshja e mbetur e javës së dytë dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 18:00.

Ndeshja e mbetur e javës së dytë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll në mes të Prishtinës dhe Dukagjinit nga Klina do të zhvillohet sot (e mërkurë) nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, i cili e mori drejtimin e kryeqytetasve ditë më parë, pas largimit të Bylbyl Sokolit, ka thënë se Prishtina synim e ka që të paraqitet edhe ndaj Dukagjinit ashtu sikurse ndaj Gjilanit. “Pas një ndeshje mjaft të mirë kundër Gjilanit, vjen testi tjetër ndaj Dukagjinit. Tani është komplet tjetër ndeshje dhe pothuajse tjetër karakter, sepse Gjilani ka qenë në krye të tabelës, ndërsa Dukagjini është në fund. Kështu që duhet t’i qasemi në mënyrë tjetër kësaj ndeshjeje. Po ashtu, po shpresoj që djemtë do të rikuperohen mjaftueshëm deri para ndeshjes, sepse kam thënë, edhe pas ndeshjes me Gjilanin, se djemtë e kanë dhënë maksimumin pas një ritmi të lartë të ndeshjes jo vetëm sipas meje, por edhe sipas analistëve dhe njohësve e dashamirëve të futbollit që e kanë cilësuar si të tillë. Të paraqitemi përafërsisht në atë nivel që u paraqitem me Gjilanin”, ka thënë Dallku, i cili ka konfirmuar se në këtë ndeshje “bardhekaltërve” iu mungojnë sulmuesi Ahmet Januzi dhe mbrojtësi Ahmet Haliti.

Edhe skuadra nga Klina në këtë ndeshje do ta ketë mungesën e sulmuesit Granit Arifaj. Portieri i Dukagjinit, Flamur Neziri, ka shfaqur shumë optimizëm për ndeshjen që zhvillohet sot në kryeqytet. Ai ka bërë me dije se skuadra që ende nuk ka shënuar asnjë gol në Superligë synon fitoren në këtë përballje. “Jemi mobilizuar në të gjitha aspektet për ndeshjen e rëndësishme kundër Prishtinës. Synimi ynë është që si skuadër të luftojmë dhe të marrim fitore, edhe pse Prishtina është skuadër favorite. Kushtet që i plotëson stadiumi ‘Fadil Vokrri’ ta japin mundësinë që të aplikojmë lojën që dëshirojmë”, ka thënë Neziri për “Epokën e re”.

Pas gjashtë xhirosh të zhvilluara, Prishtina renditet në pozitën e shtatë me 7 pikë, kurse skuadra e Dukagjinit është në pozitën e fundit me vetëm një pikë të grumbulluar.

 

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i koalicionit AAK-PSD, Bajram Hasani, në hapjen…