Prishtina triumfon ndaj Yllit
Sigal Prishtina ka fituar ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 92:84 (27:21, 27:17, 21:26, 17:18) në ndeshjen e mbetur të javës së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dy skuadrat që nga fillimi luftuan për çdo top duke treguar dëshirën për fitore. Sidoqoftë, prishtinasit ishin më të mirë në çerekun e parë, duke e fituar me rezultat 27:21. Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e fituar 27:17, për të shkuar në pushim me rezultat 54:38. Lojë shumë interesante është zhvilluar në periodën e tretë, me Yllin që e ka nisur më mirë, duke treguar se nuk është dorëzuar dhe afron rezultatin në 60:52, por më pas edhe Prishtina rikthehet në lojë, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 75:66. Mysafirët e nisën më mirë dhjetëminutëshin e fundit, duke afruar rezultatin në 77:76, megjithatë, pa mundur të bëjnë më shumë dhe Prishtina fiton në fund me rezultat 92:84.
Te Sigal Prishtina u dalluan Fahro Alihoxhiq me 29 pikë e shtatë kërcime, Divine Myles me 20 pikë e dhjetë kërcime, Edmond Azemi me 18 pikë dhe Fisnik Rugova me 14, kurse te mysafirët u dallua dyshja Jameel McKay me 20 pikë e 14 kërcime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë e tetë kërcime.
Sigal Prishtina tani ka 11 fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli 10 fitore dhe katër humbje.