Prishtina vazhdon përgatitjet në Turqi, konfirmon ndarjen me Bekteshin
Skuadra më e trofeshme në Kosovë, FC Prishtina, në Turqi është duke i mbushur “bateritë” për sezonin pranveror në BKT Superligë. Klubi kryeqytetas të martën ka njoftuar se mbrojtësi Leotrim Bekteshi edhe zyrtarisht nuk do të jetë pjesë e saj në sezonin pranveror . “Stafi i FC Prishtina e falënderon nga zemra Leon për mundin dhe djersën e derdhur për fanellën kryeqytetase”, thuhet në njoftimin e FC Prishtina.
FC Prishtina ka arritur në Antalia të Turqisë. Është akomoduar në hotelin ‘Titanic’ në Lara derisa të martën në mëngjes e ka kryer edhe stërvitjen e parë nën drejtimin e stafit teknik të udhëhequr nga trajneri Abdulah Ibrakoviq. Futbollistët kanë kryer ushtrime të fituesit, ndërsa pasdite janë stërvitjet në fushat e kompleksit të hotelit. Klubi prishtinas ka njoftuar se gjendja e të gjithë futbollistëve është e mirë. Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare se ka ndarë rrugët me njërin prej lojtarëve më të mirë në vitet e fundit, Leotrim Bekteshi.
Qendërmbrojtësi nuk do të jetë pjesë e asnjë skuadre në Kosovë, pasi ka vendosur që jetën ta bëjë së bashku me familjen e ngushtë në Norvegji. Skuadra më e madhe në vend e ka falënderuar mbrojtësin Bekteshi për kontributin e madh të dhënë përgjatë tri vjetëve e gjysmë.
“Faleminderit Leo! Leotrim Bekteshi nuk është më pjesë e Prishtinës. Bekteshi është një ndër futbollistët që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në skuadrën më të madhe në vitet e fundit. Ai me Prishtinën në tri vjet e gjysmë sa ishte pjesë i ka regjistruar 150 paraqitje derisa e ka fituar titullin kampion, Kupën e Kosovës si dhe Superkupën. Bekteshi, i cili në shumë ndeshje e ka bartur edhe shiritin e kapitenit, ka edhe trofe individuale si futbollist i Prishtinës derisa është përfshirë edhe në formacionin e vitit nga Federata e Futbollit e Kosovës për edicionin e fundit. Bekteshi ka vendosur ta vazhdojë jetën së bashku me familjen e ngushtë në Norvegji. Stafi i FC Prishtina e falënderon nga zemra Leon për mundin dhe djersën e derdhur për fanellën kryeqytetase”, thuhet në njoftimin e FC Prishtina.
Skuadra “bardhekaltër” sezonin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë me 24 pikë të grumbulluara. Prej 18 ndeshjeve ka regjistruar 6 fitore, 6 barazime dhe po aq humbje.
/Epoka e re/