Prishtinës i lejohet të luajë në “Fadil Vokrri”
Klubi i futbollit Prishtina pritet t’i luajë dy ndeshjet e saj kampionale në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndonëse nuk është bërë ende pranimi teknik i stadiumit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka takuar të mërkurën drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për t’ia mundësuar Prishtinës të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen e shtyrë të hënën, atë kundër Gjilanit dhe të javës së tretë, që Prishtina e luan në shtëpi kundër Drenicës.
Burime të “Kohës Ditore” pranë MKRS-së kanë bërë të ditur se ministri Gashi do të takohet edhe me krerët e klubit Prishtina për t’ua mundësuar shfrytëzimin e stadiumit.
“Ministri gjatë kësaj dite ka nisur t’i takojë të gjitha palët për t’ia mundësuar Prishtinës që ta zhvillojë ndeshjen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Sot ka takuar krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ndërkohë do t’i takojë udhëheqësit e Prishtinës për t’ia mundësuar shfrytëzimin e stadiumit. Nga inxhinierët Ministria ka konfirmim se nuk shkakton problem për lojë nëse kompania pranon t’i menaxhojë edhe këto dy ndeshjet e Prishtinës, kundër Gjilanit dhe Drenicës që e luan në kuadër të javës së tretë”, ka thënë një burim i gazetës në kushte anonimiteti.
Në fakt, MKRS-ja nuk lejoi që ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit e vlefshme për javën e parë të Superligës të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” me arsyetimin se nuk është bërë pranimi teknik.
Vet ministri Gashi për gazetën tha se pa u bërë pranimi teknik nuk do të luhet asnjë ndeshje. Por, të mërkurën ka pasur zhvillime tjera. Është duke u parë mundësia që Prishtina t’i luaj dy ndeshjet e para kampionale në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për gjitha zhvillimet e ditës së mërkurë, gazeta ka mësuar se MKRS-ja gjatë ditës do të lëshojë një komunikatë për të sqaruar gjithë situatën rreth stadiumit “Fadil Vokrri”.