Prishtinës i shtohet edhe një shkollë moderne nga shtatori i këtij viti
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashkë me nënkryetarin Selim Pacolli, drejtorin e Arsimit, Jonuz Salihaj, kanë vizituar të premten përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”.
Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi, prej të cilave dy dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe katër dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore.
Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, ka konstatuar se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.
Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.
Po ashtu javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore.
/Epoka e re/