Prishtinës i vijnë oferta nga jashtë për tre lojtarë, dy janë të parezistueshme
Drejtori gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani, ka thënë se në adresë të klubit kanë ardhur tri oferta nga klube jashtë vendin për lojtarë kyç të skuadrës.
Osmani tha se klubi nuk kishte planifikuar të ndërhynte në afatin kalimtar të janarit, por ofertat serioze nga jashtë do ta ndryshojnë këtë plan.
“Ne aktualisht jemi duke u ballafaquar me një problem tjetër, nuk kemi menduar të bëjmë ndërhyrje në afatin kalimtar të janarit sepse edhe një grup të lojtarëve që e kemi pas të lënduar, të gjithë kthehen. Tash kemi problem pak sepse kemi disa klube të interesuara për dy apo tre lojtar kyç tanë dhe kanë ardhur me oferta konkrete dhe lojtarë për të cilët nuk kemi zëvendësim. Problemin më të madh e kemi se si t’i mbajmë këta që i kemi aktualisht”, ka thënë Osmani.
“Nga jashtë natyrisht edhe ne si klub nuk i kemi bërë pengesë asnjë lojtari sepse natyrisht që mundësia e zhvillimit dhe promovimit është më e madhe jashtë, andaj në situatë të tillë nëse vendos klubi që këta dy, tre lojtarë të transferohen jashtë, atëherë na duhet të intervenojmë më urgjencë, përndryshe, nëse arrijmë ta mbajmë skuadrën aktualisht siç e kemi dhe me kthimin e lojtarëve të lënduar, nuk kemi nevojë të bëjmë ndërhyrje në janar”, ka shtuar Osmani.
Duke mos dashur t’i zbulojë klubet e interesuara, Osmani ka thënë se shkaku i këtyre ofertave, Prishtina praktikisht do të mbetet së paku pa dy lojtarë thelbësorë në janar.
“Është hera e parë që po flasim në kamera, të paktën njëra prej tyre është e pa rezistueshme, ose dy në fakt. Por, njëra është definitivisht do të jetë shumë vështirë të refuzohet. Të tjerat pastaj mund të negociohen, pro përfundimisht me shumë gjasë do të mbesim pa dy lojtarë. Nëse kjo ndodh atëherë detyrimisht do të na duhet të intervenojmë të paktën me dy lojtarë”, bëri të ditur Osmani./KP