Priten masa të reja në Kosovë pas përhapjes së variantit të ri “Omicron”

29 nëntor 2021 | 16:16

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK), prej 1 265 testimeve, dy qytetarë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

MSh-ja ka njoftuar se nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes, ndërkohë që në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë.

Raste aktive me Covid-19, sipas MSh-së, aktualisht janë 322.

Bazuar në raportet e datës 29 nëntor nga klinikat Covid në QKUK, por edhe nga spitalet e përgjithshme, në tërë Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës janë duke u trajtuar 12 pacientë të konfirmuar me Covid-19 pozitivë dhe 23 të tjerë post-Covid, pra pasi kanë kaluar Covid-19.

Me oksigjeno-terapi janë 13 pacientë, kurse nuk ka pacientë në mjekim intensiv.

Pas përhapjes së variantit të ri “Omicron”, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të ketë rishikim të masave kundër Covid-19.

“Rekomandimi i OBSh-së është se vaksinimi kundër Covid-19 është mënyrë më e sigurt për të ndihmuar në ndërtimin e mbrojtjes kundër virusit. Covid-19 mund të ketë komplikime serioze, kërcënuese për jetën. Duke u vaksinuar ju do ta zhvilloni imunitetin në një mënyrë më të sigurt sesa të infektoheni apo sëmureni”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Varianti “Omicron” për herë të parë u identifikua në Afrikë të Jugut, mirëpo këtij varianti iu deshën pak kohë që të identifikohet në vende të ndryshme të botës.

Disa vende evropiane kanë vendosur masa të reja kufizuese në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e këtij varianti. Siç ka njoftuar OBSh-ja, ky variant besohet se është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afganët e strehuar në Lezhë kanë festuar festat kombëtare të…