Priten medalje nga Buenos Aires

01 tetor 2018 | 22:54

Ekspedita e Kosovës ka udhëtuar të hënën pasdite drejt Argjentinës për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike verore. Në këto lojëra synohet të arrihen rezultate pozitive, pse jo edhe medalje. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur besimin se pas Rios, flamuri i Kosovës do të ngrihet edhe në Buenos Aires. “Pas Rios, mbetemi me shpresë se flamuri i Kosovës do të ngrihet lart edhe në Buenos Aires”, ka thënë Hashim Thaçi.

Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike për të Rinj (LOR), Buenos Aires 2018 me pesë sportistë. Në këto lojëra ekipi olimpik i Kosovës synon të marrë medalje për faktin se sportistët në fjalë kanë cilësi për të dalë me rezultate pozitive në garën që Kosova merr pjesë për herë të parë. Sportistët që e prezantojnë Kosovën në Lojërat Olimpike janë Erza Muminoviq (xhudo), kategoria -44 kilogramë, Erdonis Maliqi (boks), kategoria  64 kg, Muhamet Ramadani (atletikë) disiplina: hedhje e gjyles 5 kg, Melisa Zhdrella (not) disiplina: 50 metra krol dhe Bleron Fetaovski (peshëngritje), kategoria deri 77 kg.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë para nisjes së ekipit olimpik drejt Buenos Airesit, se në këto lojëra synohet medalje historike për Kosovën. “Kosova merr pjesë për herë të parë dhe kjo pjesëmarrje është historike. Erza është përgatitur fizikisht dhe psikikisht për ta nderuar vetën dhe Kosovën në këtë garë unike. Ajo do të dëshmojë se Majlinda Kelmendi ka pasardhëse. Notuesja Zhdrella është optimiste se në Buenos Aires do ta thyejë rekordin e saj personal dhe nëse ia del këtij synimi do t’i realizojë pritëshmëritë tona. Fetovski prezanton peshëngritjen, një sport i themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ai është optimist se do të marrë rezultate pozitive. Boksi prezantohet me Maliqin, një talent i ri dhe me perspektivë. Ekspertët e boksit presin që boksi do t’ia rikthejë shkëlqimin e dikurshëm me gjeneratën e re në gjashtë vjetët e ardhshëme Atleti Ramadani me performacën në ngritje nga dita në ditë konfirmon se atletika do të jetë një sport që do të marrë pjesë nëpër Lojëra Olimpike duke e fituar normën dhe jo vetëm me ftesa”, ka thënë Hasani, i cili ndihet i kënaqur se nga pesë sportistët janë dytë gjinisë femërore.

Ekipit Olimpik i ka dhënë mbështetje edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. “Është e rëndësishmja pjesëmarrja e këtyre pesë sportistëve të Kosovës për herë të parë në garat që zhvillohen në Argjentinë. Përfaqësimi i Kosovës si shtet nga ambasadorët e vet ka rëndësi të madhe dhe ne e përgëzojmë Komitetin Olimpik për punën e mirë që po bën. Uroj të kthehen me medalje ashtu sikurse kthehen edhe nga garat apo lojërat e tjerë. Ministria e Sportit do të jetë në vazhdimësi në mbështetje të sportistëve”, ka thënë Gashi.

Trajneri i Xhudos, Driton Kuka, beson se xhudistja Erza Muminoviq mund të fitojë medalje në Lojëra Olimpike për të rinj. “Kosova për herë të parë në Lojëra Olimpike për të rinj. Edhe atje kemi normë olimpike. Xhudistja jonë e re, Erza Muminoviq, sivjet është bërë kampione evropiane për të rinj. Ajo në Argjentinë shkon me asistent trajnerin Fatos Tabaku. Shpresoj të na bëni krenarë sikur gjithmonë deri tash. Në Lojëra Olimpike Kosova do të përfaqësohet edhe nga sportistë të tjerë, të cilëve, sikur Erzës, ju uroj suksese e prezantim dinjitoz të shtetit tonë”, ka shkruar Kukan në “Facebook”. “Në Lojërat e para Olimpike fituam medalje. Në Lojërat Evropiane të para fituam medalje. Në Lojërat e para Mesdhetare fituam katër medalje. Xhudo të gjitha këto i fitoi për shtetin tonë. Aspak s’ka lidhje që s’po na ndërtoni qendrën nacionale. Ne s’do të ndalemi kurrë. Dhashë Zoti të kemi pak fat e do të kemi medalje edhe nga Argjentina e largët”, ka shkruar Kuka.

Presidenti Thaçi pret paraqitje dinjitoze të sportistëve në Buenos Aires

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar sportistët e Kosovës, Erza Muminoviqin, Melisa Zhdrellan, Muhamet Ramadanin, Erdonis Maliqin dhe Bleron Fetaovskin, për paraqitje të mirë në Lojërat Olimpike Verore në Buenos Aires. “Ambasadorët më të mirë të republikës sonë, sportistët tanë, sonte nisen për në Argjentinë, ku do të garojnë në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018. I uroj suksese xhudistes sonë Erza Muminoviqi, notares Melisa Zhdrella, atletit Muhamet Ramadani, boksierit Erdonis Maliqi, peshëngritësit Bleron Fetaovski, si dhe të gjithë pjesëtarëve të ekspeditës kosovare në kryeqytetin argjentinas. Pas Rios, mbetemi me shpresë që flamuri i Kosovës do të ngrihet lart edhe në Buenos Aires”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis anuloi një vizitë të…