Pritet së shpejti të votohet projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip ’90-ta
Edhe pak ditë bëhen pesë muaj që kur Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 është miratuar në shqyrtim të parë.
Pas një debati të gjatë, ky projektligj mori dritën e gjelbër me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, shkruan Indeksonline.
Por, ndonëse kanë kaluar kaq muaj, projektligji nuk ka arritur të hyj në rendin e ditës së seancave plenare të Kuvendit.
Nënkryetarja e parë e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu ka thënë për Indeksonline se ka disa lëvizje në këtë drejtim.
“Projektligji të hënen e përfundon punën në komisionin funksional, e pastaj menjëherë e dërgojmë tek komisionet e përhershme. Tutje Kryesisë së Kuvendit i mbetet për ta dërguar në seancë parlamentare për votim”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar se më në fund do të përfundoj edhe kjo kërkesë e kamotshme e punëtorëve të arsimit.
“Përfundimisht po realizohet kjo kërkesë e vazhdueshme e punëtorëve të asaj periudhe, por edhe e deputetëve në vazhdimësi”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kishte paralajmëruar për grevë të mundshme të mësimdhënësve, nëse kërkesat e tyre nuk do të realizoheshin deri në tetor.
Sindikata kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në vitet 1990-91 e deri në vitin 1998-99 të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë dhe të votohet, duke kërkuar po ashtu e dhe ndryshimin e Projektligji për Pagat.
Po ashtu duhet përkujtuar që Ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta ka kohë që është duke u zvarritur përderisa shpesh herë pati edhe ndërprerje të mësimit në shkolla të Kosovës nga paralajmërimet e Sindikatës për Arsim, Shkenca dhe Kulturë për plotësimin e kërkesave të tyre