Pritja e pafund e eksponateve etnologjike e arkeologjike të marra nga muzetë e Serbisë
Ishte shtator i vitit 1989 kur Galeria e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd do të bënte vend për 1,247 artefakte të Kosovës për një ekspozim të përkohshëm. Kontingjenti që përfshinte 571 eksponate etnologjike dhe 676 eksponate arkeologjike doli të ishte ekspozimi më afatgjatë, pasi që prej tri dekadash ato nuk u kthyen më në vendin e origjinës.
Bust mermer i femres, Banja e Kllokotit, shek III, i Erës së Re
Sipas të dhënave të Librit Protokollues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, të nënshkruar nga zyrtarët e atëhershëm të Ministrisë së Kulturës së Serbisë, në vitin 1989 ishte marrë vendimi që eksponatet të shkonin për një ekspozitë disamujore në Beograd e pastaj të ktheheshin në Kosovë si ekspozitë e përhershme.
Dërgesa përfshinte fragmente artefaktesh, eksponate, raritete arkeologjike dhe një koleksion numizmatik.
Në vitin 2002, Hyjnesha në Fron, terrakota e periudhës arkeologjike e shekullit IV, (Neoliti i Vonë) u bë i vetmi eksponat që u kthye në Kosovën e pasluftës, në kohën kur vendi ndodhej nën administrimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, (UNMIK).
Heshtja e përjetshme
“Në Beograd ndodhen 571 eksponate etnologjike dhe 676 eksponate arkeologjike që i përkasin: periudhës së hekurit, periudhës dardane, romake dhe mesjetës së hershme”, thotë Driton Avdiu, ushtrues detyre i Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Artefaktet që përcaktojnë identitetin kombëtar të një vendi, në shumë raste pasigurie apo konflikti zhvendosen nga vendet e tyre të origjinës. Por moskthimi i eksponateve nga Serbia sipas zyrtarëve të muzeut në Kosovë tregon se qëllimi i largimit të tyre u tregua se nuk ishte dashamirës.
Kërkesa për kthimin e tyre është përsëritur vazhdimisht, por Avdiu kërkon që kthimi i artefakteve të mos jetë në asnjë formë pjesë e negociatave në dialogun Kosovë-Serbi që po vazhdon në Bruksel.
“Duhet shfrytëzuar Konventa e Hagës e vitit 1954 për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, në vendet ku kishte konflikte të armatosura, pastaj Konventa e UNESCO-s e vitit 1978 për kthimin e pasurisë kulturore në vendet e origjinës ose në rast të përvetësimit të paligjshëm”, thotë ai.
Kemajl Luci ishte një prej arkeologëve që punonte në atë kohë dhe tregon se ekzistojnë të gjitha dokumentet që i gjithë materiali kishte shkuar për ekspozim të përkohshëm. “Materialet që gjenden në Beograd janë dërguar legalisht. Por kjo çështje është politizuar”, thotë ai.
Më shumë se tri dekada që kur u morën nga Kosova, artefaktet vazhdojnë të presin të ekspozohen sërish për publikun.
“Koleksionet e artefakteve e eksponateve që po mbahen peng janë të vendosura në bodrumet e Muzeut Popullor të Beogradit, të mbyllura në arka, në errësirë, e të harruara”, thotë arkeologu Milot Berisha.
Eksponatet janë vetëm një pjesë e dëmeve të trashëgimisë kulturore të Kosovës të bëra para dhe gjatë luftës. Shkatërrimi masiv i trashëgimisë kulturore gjatë luftës së viteve 1998-1999 është bërë larg vijave të frontit gjatë një fushate të spastrimit etnik dhe së bashku me ato në Bosnje e Kroaci përbëjnë shkatërrimin më të madh të trashëgimisë kulturore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, thekson se duhet të gjenden mënyra sanksionuese ndaj shtetit serb për ta detyruar ta kthejë këtë pasuri kulturore.
“Serbia ka shkelur kodet ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore Universale dhe duhet që bashkësia ndërkombëtare ta detyrojë të kthejë pronësinë e kulturës materiale të Kosovës”, thotë Rexha.
Nora Weller, Drejtoreshë e Akademisë së Çështjeve Globale në Cambridge dhe eksperte ligjore në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, marrjen e artefakteve nga Muzeu Kombëtar i Kosovës e cilëson si “një akt shtesë në përdhunimin e mëtutjeshëm të identitetit kombëtar”.
“Largimi kishte për qëllim çrrënjosjen e shenjave të identitetit etnik shqiptar në territorin e Kosovës”, thotë Weller.
“Mbajtja e artefakteve është vetëm një shtrirje e mëtutjeshme e krimeve që shteti i Serbisë pretendon t’i fshehë”, shton ajo.
Për më shumë se tri dekada, kërkimet dhe studimet arkeologjike në Kosovë janë zhvilluar të ndara përgjatë vijave etnike.
“Në mesin e eksponateve etnologjike të huazuara nga Muzeu i Kosovës, ka edhe eksponate të komunitetit serb të Kosovës”, thotë historiani Arianit Buqinca.
Drejtuesit e Muzeut të Kosovës, përmes një letre i janë drejtuar sërish këtë vit Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, duke kërkuar kthimin e eksponateve që i takojnë Kosovës, por kërkesa vazhdon të shpërfillet.
Sipas dokumentit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i njohur si “Plani Ahtisaari”, në aneksin V neni 6, kthimi i objekteve arkeologjike dhe etnologjike duhej të kishte ndodhur brenda 120 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjes, por Serbia nuk e kishte pranuar këtë propozim dhe kthimi i eksponateve nuk u realizua kurrë.
Valon Xhabali nga organizata “Ec ma ndryshe”, thotë se si anëtare e UNESCO-s, Serbia nuk ka të drejtë t’i mbajë artefaktet që i takojnë një shteti tjetër. “Anëtarësia nënkupton edhe zotim për t’iu përmbajtur konventave të organizatës për trashëgiminë kulturore”, thotë ai.
Ministria e Kulturës e Kosovës, sipas zyrtares për media Zana Fetiu ka kërkuar në mënyrë të përsëritur kthimin e këtij koleksioni të marrë më herët. Por deri më tani, autoritetet serbe nuk i janë përgjigjur asnjë kërkese.
“Kemi kërkuar përgjegjësi nga muzetë, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Nuk do të ndalemi deri në momentin e kthimit të të gjithë koleksionit përkatës”, thotë Fetiu. /Besmire Kluna/
Ky shkrim është produkt i trajnimit online për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autores dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.