Pritja e Ukshin Hotit
Milazim Krasniqi
PRITJA E UKSHIN HOTIT*[1]
Tërë kohën kam qenë i keqkuptuar
Nga të gjithë, të njohur e të panjohur
Por asnjëherë nuk jam zemëruar
As nuk jam stepur, as jam ftohur
E dija se s’donin të më kuptonin
Pasi ajo që u thosha ishte e vërtetë
Të vërtetën e hidhur nuk e donin
Siç nuk e duan për sëmundjen një tabletë
E hidhur ishte ajo që po u thosha
Ose ta bënin, ose të vdisnin!**[2]
Unë shtiresha që nuk po e kuptoja
Që ata donin vetëm të prisnin
Ta prisnin Godonë, a këdo tjetër
Që ai për ta të bëhej fli
T’ua sillte lirinë si urim në një copë letër
Dhe t’i linte të bënin me të orgji
Ata pritën kokulur dhe në heshtje
Zgjodhën një jetë pa dinjitet
Unë u shkëputa, jo pa dhembje
Dhe zgjodha flijimin për jetë
Dhe ja ku jemi tash, ata dhe unë
Ata në një liri që nuk ua kënaq shpirtin
Unë këtu, në askund
Duke pritur ta kem një varr timin
Po pres këtu në askohë për një varr
I keqkuptuar si një sentencë latine
Ju bëni sikur e gëzoni lirinë, o shqiptarë
Por liri s’keni pa ndjesën time
7 dhjetor 2015
[1]* Profesor universitar, intelektual dhe politikan i njohur shqiptar i Kosovës, i paepur në angazhimin për liri dhe bashkim kombëtar dhe i burgosur politik. Në vitin 1999, derisa po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, autoritetet serbe e nxorën nga Burgu i Dubravës, kinse për ta liruar, por e zhdukën. Ende vazhdojnë përpjekjet për ta gjetur.
[2]** Titulli i një teksti analitik e programatik të prof. Ukshin Hotit, i botuar në vitin 1992 në revistën Fjala.