PRITJE E GURTË

22 dhjetor 2020 | 08:54

MIRADIJE MALIQI

 

PRITJE E GURTË

 

Çfarë ishin ato që ju lindën, e nëna s’mund të ishin,

ju përbindësha që na pretë rrugën asaj të premteje të trembëdhjetë.

 

Të përgjakur u vërsulët për gjak të ri, m’i morët t’shenjtat,

ma përdhosët pragun

ma shkulët shpirtin e Yllin tonë të njomë, nënës nga gjiri ia rrëmbyet.

 

M’i thoni një fjalë këtij durimi të lashtë për ditën e gjykimit.

 

Do të flas, do ta drejtoj gishtin, do ta vras heshtjen, si turpin, si përbindëshin, si armikun.

 

Bota le t’i fshehë sytë, bota le të turpërohet!

 

Sall më duhet një dorë e zgjatur, një sup ku të mbështem, vëlla e mik

Po ngjitem majave të kohës

e jetën e hedh si teshën e vjetër, ngre fole betimesh, vetëm për atë pritje.

Mendimet e mia janë valë kujtese që vetëm të djeshmet i mban mend.

Mungesa e ndëshkimit si strehë shiu m’i gërryen ditët.

 

Asgjë e re.

Një rit tashmë i njohur gjersa marr rrugë me shpirtin ndër dhëmbë kërkoj gjurmët, e fshehi atë dridhje buzësh që gjithnjë më tradhton.

 

Mësoj të mos kem drojë nga jeta.

Të mbetem unë, e jo Ajo që thotë bota.

 

Hedh ditët si pasqyrën e thyer, e mbahem fort pas asaj fjale të dhënë, për atë copë qiell ku unë i drejtoj lutjet e mia

e vdes përditë që të mbaj gjallë vetëm një çast, ah atë çast do t’i rinjoh sytë e përbindëshit, kur të vijë dita e ndëshkimit

 

 (Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbahet Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit…