Pritje madhështore për Iniestan në Japoni
Andre Iniesta ka zbarkuar në Japoni. Aty do të nisë një kapitull të ri në karrierën e vet. Ai ka nënshkruar kontratë trevjeçare me skuadrën e Vissel Kobes pas largimit nga Barcelona.
Mesfushori 34-vjeçar ka deklaruar pak kohë më parë tërheqjen nga kombëtarja spanjolle pas dështimit në Kupën e Botës “Rusi 2018” dhe tani do t’i dedikohet 100 % ekipit të ri. Kjo është hera e parë që Iniesta do të nisë një sezon larg “Camp Nou”, pasi e ka veshur fanellën “blaugrana” që në moshën 12-vjeçare.
“Ishte një rrugë e gjatë deri këtu, por mezi po e pres këtë aventurë të re në Japoni, që t’i njoh shokët e skuadrës e të luaj me ta. Unë shpresoj se fansat të argëtohen dhe ju premtoj se do të jap më të mirën e mundshme, duke u treguar atyre aftësitë e mia si futbollist. Dua të luaj sa më shpejt të jetë e mundur dhe deri të dielën do të jem në formën optimale”, ka thënë Iniesta, që pritej nga qindra fansa në aeroport.
Skuadra e Vissel Kobe, ku do të luajë Iniesta, renditet në mesin e renditjes, ndërkohë që kampionati ka nisur prej 15 javësh.