Pritje madhështore për Limajn në Malishevë, flet për Nismën, dialogun, vizat e Interpolin

20 tetor 2018 | 19:30

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar edhe të shtunën mbajtjen e takimeve me strukturat drejtuese të degëve të saj.

Partia e Fatmir Limajt ka mbajtur takim me strukturat drejtuese të degëve të Nismës në Malishevë, Rahovec dhe Suharekë.

Në takimin e përbashkët të mbajtur në Malishevë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se takimet e tilla me struktura e kanë objektivin edhe për të parë nga drejtuesit e degëve se çfarë është bërë, por edhe për të njoftuar për angazhimet e drejtuesve të partisë dhe të shpalosur idetë që duhet t’i shpalosin me tutje për fuqizimin e Nismës dhe programit saj.

Ai ka thënë se ka pasur shumë skeptikë për suksesin e Nismës, por rezultatet sipas tij kanë dëshmuar të kundërtën. Nisma, sipas Limajt, ka arritur të kthehet në një forcë politike ideatorë e shprese për Kosovën falë përkrahesve të saj. Më tutje, Limaj ka folur për njëvjetorin e Nismës në Qeverinë qendrore.

“Me hyrjen e Nismës në Qeveri ne kemi futur humanizëm dhe fytyre njerëzore e transparence në ekzekutiv. Qasje tjetër të komunikimit me njerëz. Nisma nuk ka përjashtuar opozitën, por ka zgjatë dorën për bashkëpunim. Një vit në qeveri kemi prekur nevojat e njerëzve për aq sa kemi mundur. Është një format krejt i ri. Një vit në qeveri njerëzit tanë nuk janë bërë arrogantë e me ngritë kokën. Një vit në qeveri drejtuesit e kësaj partie të niveleve të ndryshme nuk ka ndodhë mos me iu përgjigj kërkesave e nevojave të njerëzve. Një vit në qeveri kemi zgjidhe probleme. Si demarkacioni. Një vit në qeveri kemi bërë të mundur që Kosova të bëhet me ushtri”, ka thënë Limaj të shtunën në Malishevë.

Ai ka treguar se çelësi i suksesit të kësaj partie është se ata përgatitin partitë me bërë hapin e radhës.

“Sot jemi ardhe me iu thanë se kjo parti është pjekë me plot kuadro. Sot kemi drejtues shtetërorë në të gjitha nivelet të cilët për një vit kanë treguar se janë të gatshëm me shku në një fazë tjetër. Sondazhet po na paralajmërojnë me mbi 10 deputetë. Nisma ka ardhe në një fazë kur politikisht duhet me u përgatit me marr një përgjegjësi më të madhe dhe tek tash do të shihet fuqia e Nismës”, ka theksuar Limaj.

Ai ka ftuar kryetarët e degëve të iu japin hapësire kuadrove të reja.

Limaj me pas ka folur edhe për investimet e qeverisë në Malishevë.

“Sot vijmë pas një lajmi të mirë për Malishevën. Të gjithë ne duhet jemi të lumtur për fillimin e punimeve të Qendrës së Banimit Social për njerëz që kanë nevoje. 40 familje që nuk kanë mundësi me pas një kulm mbi kokë sot i është siguruar dhe besoj brenda vitit do të vendosen. Ky është rezultat i punës përbashkët. Me politika të mençme njerëzore zgjidhen problemet e 40 familjeve. Para disa ditësh ka filluar punimi i transitit të Malishevës. Ajo qarkore do t’i shërbeje gjithë qytetarëve të Malishevës. Ajo i shërben regjionit. Nisma në shërbim të qytetarëve pa dallim. Ajo do t’i jap kuptim Malishevës, qarkorja”, është shprehur Limaj.

Sa i përket bujqësisë, zëvendëskryeministri ka thënë se janë të pakënaqur me politikat bujqësore dhe duhet të ndryshojnë.

Politikat aktuale, sipas tij, nuk e zhvillojnë bujqësinë. Limaj ka ripërsëritur qëndrimin e Nismës për dialog se kjo parti nuk do të jetë pjesë e tavolinës ku diskutohet në dëm të Kosovës.

Ai ka thënë se sfidat e radhës për qeverinë janë liberalizimi i vizave dhe interpooli.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se parimet e Nismës janë të ndara në tri shtylla: Liria, Drejtësia dhe Solidariteti.

“Janë këto tri shtylla që kërkojnë punë dhe angazhim të përhershëm. Liria mbrohet çdo minutë. Drejtësia mbrohet përditë për çdo minutë e orë të saj. Solidariteti është i përhershëm. Ju struktura të Nismës duhet jeni me mendje të zgjuar se solidariteti në mesin tonë duhet të jetë i përhershëm. Për të qenë këto tri shtylla gjithherë të mbrojtura duhet në të gjitha strukturat të ketë një debat të përhershëm. Debati në kuadër të strukturave mund të jetë i ashpër, por të tilla duhet të jenë gjithmonë debatet, sepse pa to nuk ecë shoqëria përpara”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Borussia Dortmund për herë të parë në histori të klubit…