Pritje shtetërore për ministren Reshitaj në shtetin që ende nuk e ka njohur Kosovën
Me ftesë të veçantë të Qeverisë së Vietnamit dhe të Fondit Global të Mjedisit (Global Environment Facility – GEF), ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj po merr pjesë në Asamblenë e 6-të të GEF-it, që po mbahet këto ditë në Da Nang të Vietnamit.
Në margjina të Asamblesë së GEF-it, ministrja Reshitaj është pritur në një takim nga kryeministri i Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc, i cili është edhe takimi i parë shtetëror i një ddelegacioni kosovar në shtetin e Vietnamit, qeveria e të cilit ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Në këtë takim, ministrja Reshitaj ka theksuar të arriturat e përgjithshme të Republikës së Kosovës e në veçanti në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Reshitaj ka falënderuar kryeministrin vietnamez për ftesën për pjesëmarrje në Asamblenë e 6-të të GEF-it dhe ka deklaruar se është nevojë e kohës bashkëpunimi i mëtutjeshëm ndërinstitucional i të dy shteteve.
Ajo ka ripërsëritur kërkesën e bërë nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Qeveria e Vietnamit, pasi kjo do t’i kontribuonte stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe do të hapte rrugën e bashkëpunimit në mes dy shteteve në fushën ekonomike, politike e mjedisore.
Falë angazhimit të ministres Reshitaj dhe lobimit të vazhdueshëm të Ministrit Pacolli, Kosova ka arritur që për herë të parë të marrë pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit.
Ky është hapi i parë institucional në drejtim të konsolidimit të pjesëmarrjes të Kosovës në këtë Fond, i cili do të pasohet edhe me hapa të tjerë që do të kontribuojnë në përfitimin e projekteve milionëshe nga fusha e mjedisit, të munguara deri më tani.
GEF ka një buxhet vjetor mbi 18 miliardë dollarë dhe deri me tani në formë të granteve ka investuar mbi 69 miliardë dollarë në 170 vende të botës.
/Epoka e re/