Pritjet për 2018-n, liberalizimi i vizave dhe formimi i ushtrisë
Drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesit e partive politike kanë shprehur optimizëm se gjatë këtij viti do t’u japin zgjidhje temave të mëdha që e presin vendin.
Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj dhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se në këtë vit Kosova do ta zgjidhë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku do ta fitojë liberalizimin e vizave dhe do ta formojë ushtrinë e saj
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shprehur optimizëm se gjatë këtij muaji institucionet do t’ia japin zgjidhjen e duhur demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Po ashtu, ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova do t’i ketë Forcat e Armatosura gjatë vitit 2018. Sipas Thaçit, 2018-a do të jetë vit i unitetit politik dhe qytetar. “Unë shoh vullnet të mirë nga kryeparlamentari Veseli dhe nga kryeministri Haradinaj që të punohet në këtë drejtim. Në javët e fundit shoh një vullnet që të punohet në drejtim të gjetjes së një zgjidhje, që do të ishte e pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në të njëjtën kohë do të ishte mirëkuptuese edhe nga Bashkimi Evropian që Kosova të lëvizë përpara. Në një formë apo formë tjetër, Kosova do t’i ketë Forcat e veta të Armatosura gjatë vitit 2018. Çdo vit i ri që vjen unë jam më optimist se do të jetë më i suksesshëm, më i mirë dhe më produktiv për vendin e shoqërinë tonë. Shpresoj se viti 2018 do të jetë vit i unitetit politik dhe qytetar”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pret që shumë shpejt Kosova ta zgjidhë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të ecë përpara në proceset integruese. “Për këtë arsye bëj thirrje që Kuvendi të marrë vendim për këtë çështje sa më shpejt. Nga momenti i marrjes së vendimit gjendet edhe zgjidhja. Nuk mbetet më tema përjetësisht e pazgjidhur. Nëse vendoset për këtë çështje, fillon koha e zgjidhjes. Sa më shpejt që vendos Kuvendi, atëherë hapen rrugët”, ka deklaruar Haradinaj për gazetën “Epoka e re”. Gjithashtu, ai ka shprehur optimizëm se shteti i Kosovës së shpejti do të bëhet me ushtri. “Ne ushtrinë e kemi. FSK-ja është ushtria e Kosovës. Ne mundemi që FSK-së t’ia ndryshojmë mandatin edhe me ligj, por ne po synojmë që këtë ta bëjmë në koordinim me NATO-n, me aleatët tanë, me Amerikën, në mënyrë që me këtë mandat të ushtrisë të jemi shumë më afër anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se gjatë muajve në vazhdim do të marrë vendime të rëndësishme.
Ndërkohë zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë për “Epokën e re” se është koha e duhur që liderët e partive politike të arrijnë konsensus për tema nacionale. Ai ka bërë thirrje të gjendet një qasje e përbashkët për dialogun, demarkacionin, ushtrinë dhe për reformën e agjendës evropiane. “Besoj se duke filluar nga ky muaj do të kemi një dinamikë të re sa i përket demarkacionit dhe presim që në javën e tretë apo të katërt të diskutohet për këtë temë në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës. Por, është koha e fundit që të gjitha subjektet politike, që janë në qeveri e opozitë, ta votojnë marrëveshjen dhe të shkojmë përpara duke liberalizuar vizat për qytetarët. Prandaj, është momenti i duhur që liderët e partive politike jo vetëm për demarkacionin, por edhe për tema të tjera nacionale të gjejnë një konsensus. Pra, ta gjejmë një qasje të përbashkët edhe për dialogun, edhe për ushtrinë, edhe për reformën e agjendës evropiane. Është koha e fundit të mos blihet kohë, por të veprohet me pjekuri e përgjegjësi politike. Nëse ka vullnet politik, ka rrugë”, ka theksuar Hoxhaj.
Kurse lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka shprehur optimizëm se gjatë këtij viti institucionet shtetërore do t’u japin zgjidhje sfidave të cilat nuk kanë mundur të zgjidhen vitin e kaluar. “Në tema nacionale siç është demarkacioni, vendit i nevojitet konsensusi dhe unë pres që demarkacioni të përmbyllet. Pres që në këtë muaj të shkojmë dhe ta kemi shumicën në Kuvendin e Kosovës për ta përmbyllur këtë çështje. Demarkacioni do të jetë variant i cili do t’i respektojë interesat e Kosovës dhe të Malit të Zi. Nga ky proces asnjë vend nuk del humbës. Përkundrazi, Kosova dhe Mali i Zi nga ky proces do të dalin edhe më fuqishëm në marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore”, ka thënë Limaj për gazetën “Epoka e re”.
Përveç demarkacionit, ai ka thënë se gjatë këtij viti Kosova do ta ketë edhe ushtrinë e vet. “Kosova si shtet sovran e ka të drejtën e saj për ta pasur ushtrinë dhe këtë askush nuk mund t’ia mohojë e ndalojë. Për çështjen e ushtrisë duhet bashkëbisedim me të gjithë aktorët politikë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se bërja e Kosovës me ushtri nuk nënkupton kërcënim për askënd. Përkundrazi, ushtria do ta kryejë punën e vet”, është shprehur Limaj.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se 2018-a do të jetë një vit i rëndësishëm në historinë e Kosovës. “Ne jemi në bisedime intensive me miqtë për të ndryshuar status quon, për të pasur një rol proaktiv në integrimin tonë ndërkombëtar. Do ta reformojmë shërbimin diplomatik, me ndërhyrje ligjore, me riorganizim, me promovim të të aftëve. Do të vendosim marrëdhënie diplomatike me shumicën e vendeve që na kanë njohur. Do të jemi aktivë me diplomacinë ekonomike. Do të jemi kreativë në diplomaci dhe shumë shpejt do të keni surpriza. Një është e sigurt, 2018-a do të jetë vit i rëndësishëm në historinë e Kosovës”, ka deklaruar Pacolli për gazetën “Epoka e re”.
Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë për gazetën kjo qeveri është duke e izoluar Kosovën. Sipas tij, kryeministri Haradinaj e ka gabimisht procesin e demarkacionit me Malin e Zi. “Tani ka përgjegjësi para të gjithë qytetarëve, jo përgjegjësi krahinore. Në qoftë se e merr vesh këtë, e si duket se nuk po e merr vesh, atëherë çështja e demarkacionit është e zgjidhshme. LDK-ja është në opozitë. Pozita duhet t’i prijë zgjidhjes së kësaj çështjeje. Nëse pozita jep argumente se është e vendosur ta votojë demarkacionin, ne do të reflektojmë si LDK. LDK-ja është e interesuar të hapë mundësi që qytetarët tanë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Por, përgjegjësia tani është e atyre që rrahën gjoks se marrin vendime të mëdha”, ka theksuar Mustafa.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka bërë me dije për “Epokën e re” se do ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale kurdo që t’u jepet mundësia. “Sikurse në vitin 2015, ashtu edhe kurdo që vjen në seancë, ne do ta kemi të njëjtin vlerësim për këtë gjykatë. Do ta shfuqizojmë këtë gjykatë kurdo që të na jepet mundësia dhe këtë e bëjmë për hir të Kosovës dhe të UÇK-së e jo për hir të Thaçit i cili po fshihet pas disa iniciativave dhe po manipulon sërish sikur para dy vjetësh fatin e luftës së UÇK-së”, ka thënë Selimi. Sipas tij, 100-ditëshi i qeverisë aktuale është zhgënjyes. “Unë nuk kam pritur ndonjë sukses të kësaj qeverie. Tashmë 100-ditëshi i saj është indeks i një qeverisje jofunksionale. 100-ditëshi i qeverisë së PAN-it është zhgënjyes jo vetëm për qytetarët por, ndoshta, edhe për qeveritarët”, ka deklaruar Selimi.
Shqipe HETEMI