Prizren, këtë javë nis mbledhja e mbeturinave të vëllimshme
Komuna e Prizrenit në javën e parë të muajit nëntor do të fillojë aksionin e mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme nga të gjitha amvisëritë.
“Sektori i Menaxhimit të Mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, në javën e parë të muajit nëntor do të fillojë aksionin e mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme nga të gjitha amvisëritë. Aksioni do të realizohet nga data 1 nëntor, deri më 7 nëntor. Mbeturinat e vëllimshme llogariten të gjitha gjësendet e vjetruara që nuk përdoren, duke përfshirë orendi të vjetra shtëpiake, vitrina, set ulëse, tepihë, pajisje teknike etj”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Ku dhe kur duhet t’i hidhni?
“Mbledhja e mbeturinave të vëllimshme do të realizohet sipas orarit të mbledhjes së mbeturinave të rëndomta. Shtëpitë private këto mbeturina duhet t’i vendosin para dyerve, në ditën kur bëhet shërbimi për mbledhjen e mbeturinave në lagjen përkatëse. Ndërsa banimet kolektive, duhet t’i vendosin ato në pikën publike më të afërt të grumbullimit të mbeturinave. Mbeturinat e vëllimshme nuk duhen të hidhen në çdo kohë! Ky shërbim është pa pagesë dhe bëhet dy herë në vit”, është thënë në njoftimin e komunës.
/Epoka e re/