Prizren, ndizen qirinj në nderim të policit të rënë në krye të detyrës
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se me një akt simbolik të ndezjes së qirinjve, së bashku me zyrtarë komunalë e qytetarë, në Stacionin Policor Alfa në Prizren, shprehën sonte solidaritetin me familjen dhe kolegët e rreshterit të ndjerë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën dje në Banjskë të Leposaviqit.
“Në një kohë kur Kosova po përjeton sfida të ndryshme, është e rëndësishme të jemi të bashkuar në ndërtimin e një shoqërie të sigurtë dhe të drejtë. Kjo ngjarje e trishtë na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjitha institucioneve për të siguruar që sundimi i ligjit të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës”, ka theksuar Totaj.
Ai ka thënë se shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve të policit të ndjerë me shpresën që drejtësia të vihet në vend sa më shpejtë.