Prizrenasit të shqetësuar nga qentë endacak
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se prej raportimeve nga qendra e thirrjeve “Alo Komuna”, qentë endacakë janë shqetësim i madh për qytetarët e kësaj komune.
“Shqetësimet kryesisht kanë të bëjnë me mundësinë e bartjes së sëmundjeve të ndryshme dhe agresivitetin e këtyre qenve ndaj kalimtarëve. Komuna tashmë ka ndërmarrë disa hapa rreth kësaj problematike, por ky problem nuk mund të zgjidhet menjëherë. Disa qytetarë, që sugjerojnë eliminimin e këtyre qenve, duhet t’i përkujtojmë se ky veprim pos që është johuman, është i ndaluar edhe me ligj. Pra, nuk ekziston ‘shkopi magjik’ për ta zgjidhur problemin e grumbulluar ndër vite. Problemi i qenve endacakë është problem në shkallë vendi. Komuna edhe po t’i largonte këto krijesa nga rrugët e qytetit, vendin e tyre shumë shpejt do ta zinin qentë nga qytetet e tjera të vendit”, ka njoftuar Komuna e Prizrenit.
Kjo komunë ka bërë me dije se sipas procedurave të lejuara, qentë endacakë kapen, trajtohen, sterilizohen, socializohen me ambientin e ri, dhe nëse konstatohet se mund të lirohen, ata lëshohen në vendin ku janë zënë.
“Në rastet kur qentë kanë sëmundje të pashërueshme dhe tregojnë agresivitet nuk përjashtohet eutanazia. Këto hapa i ka ndërmarrë komuna nga muaji i kaluar. Pos kësaj, komuna ka pranuar ta ndërtojë qendrën për trajtimin e përkohshëm të këtyre qenve, të bëjë regjistrimin e qenve që kanë pronarë, si dhe të bëjë edukimin e duhur të pronarëve të tyre. Këto janë hapat e nevojshëm për menaxhimin e qenve endacakë në Prizren. Për t’i arritur këto qëllime, Komuna e Prizrenit do të jetë në bashkëpunim me katër organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve”, është thënë në këtë njoftimin e Komunës së Prizrenit.
/Epoka e re/