Prizreni bëhet edhe me një fushë sportive
Infrastruktura sportive është e domosdoshme për ngritjen e nivelit të sportit në një vend.
Në Kosovë së fundmi është duke u investuar shumë në stadiumet e futbollit, derisa Komuna e Prizrenit është bërë së fundmi me një stadium të bukur, në të cilin do t’u mundësohet të rinjve t’i shpalosin vlerat që kanë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se të enjten është bërë përurimi i stadiumit në fshatin Sërbicë në Prizren. “Prizreni ka qenë gjithmonë vatër nga ku kanë dalë futbollistët e njohur. Për ta vazhduar këtë traditë, ne si prioritet kemi vendosur investimin në sport dhe rini. Në këtë drejtim, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilija Redzepi, kemi përuruar stadiumin e futbollit në fshatin Sërbicë, i cili është realizuar si investim i komunës. Ky stadium do t’u shërbejë klubeve sportive të Komunës së Prizrenit si dhe do të jetë në shërbim të futbollistëve të rinj, meqë i plotëson kriteret e kërkuara nga Federata e Futbollit për mbajtjen e garave regjionale për grupmoshat e reja”, ka thënë Haskuka.