Prizreni me shtab emergjent për shuarjen e zjarreve në Prevallë
Për shkak të situatës së krijuar nga zjarret në rajonin e Prevallës ditët e fundit, në orët e para të mëngjesit të së dielës është ngritur shtabi emergjent për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve, ka njoftuar Komuna e Prizrenit përmes një komunikate të lëshuar në rrjetin social “Facebook” gjatë ditës.
“Në këtë aksion është angazhuar një numër i madh i zjarrfikësve prizrenas, Policia e Kosovës, zyrtarë të Parkut Nacional, motoristë e qytetarë vullnetarë. Aktualisht, gjendja është nën kontroll, zjarri është sipërfaqësor, derisa të gjitha ekipet janë të përkushtuara maksimalisht për ta mbrojtur mjedisin dhe sigurinë e banorëve të zonës”, është thënë mes tjerash në komunikatë.
Ndryshe, një zjarr i madh është përhapur në pyjet e Oshlakut më herët gjatë javës, përkatësisht më 5 gusht, ndërsa Parku Nacional “Sharri”, më 8 gusht, ka bërë thirrje publike që institucionet të reagojnë. Në pamundësi të intervenimit nga toka, ndihmë për intervenim nga ajri i është kërkuar edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).
Sharri është Parku i parë Kombëtar i shpallur në Kosovë, në vitin 1986. Ai menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.