Probleme fizike për Barellan
Sky Sport Italia raporton se “ylli” i Interit dhe Italisë, Nicolo Barella, humbi një seancë stërvitore të martën në mëngjes dhe po kalon kontrolle mjekësore për shkak të problemeve të muskujve.
Barella u zëvendësua në pjesën e dytë në humbjen 2-1 të Interit kundër Milanit të dielën mbrëma, por ishte e paqartë nëse ishte për shkak të një problemi fizik.
Sky Sport raporton se pjesa tjetër e skuadrës së Interit, përveç të dëmtuarit Tajon Buchanan, u stërvit sot në Appiano Gentile.
Barella nuk mori pjesë në ndeshjet e Italisë kundër Francës dhe Izraelit në fillim të këtij muaji pasi iu nënshtrua një operacioni të paracaktuar në hundë. 27-vjeçari ka një gol dhe një asistim në pesë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.
Ai ka nënshkruar së fundmi një zgjatje të kontratës me zikaltrit deri në qershor 2029. Ndeshja e radhës e Interit në Serinë A është në Udine, të shtunën pasdite.