PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE
Hajdin Abazi
(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vite lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)
HYRJE
Paul Feyerabend në kryeveprën e tij Kundër metodës(1975) përcjellë mesazhin se kur një mënyrë e të bërit shkencë absorbon kapacitetet e veta atëherë ajo shndërrohet në dogmë dhe kthehet në shtrëngesë që dikton vendnumërim, duke u bërë pengesë për përparim. Në raste të tilla nuk duhet flakur shkenca, por mënyra e të bërit shkencë.
Kështu nuk e kishte shprehur por e kishte bërë,shekuj më parë, René Descartes në shqyrtimin e tij Ligjërime mbi metodën(1639). Ai kishte shquar defektin e bërjes shkencë në kohën e tij dhe përmes një qasjeje kritike, kishte nisur një ndryshim themelor që shkonte në hap me nivelin që kishin arritur shkencat, duke u bërë, kësisoj, shtytës për të flakur dogmat e vjetra dhe për të pranuar mënyrat e reja të kohës së tij.
Këto tregojnë se nganjëherë mënyra se si bëhet shkencë nuk është e duhura dhe se duhet ndryshuar qasja. Në një gjendje të ngjashme është edhe mënyra se si bëhen te ne punime studimore prej të cilave merren tituj shkencorë dhe pikërisht këtë shqetësim dua ta ngrit këtu. Ajo që do të parashtroj ka të bëjë me aspekte të përgjithshme e jo me raste të veçanta, qasje të cilat thuajse janë shndërruar në dukuri, në trend, në një standard që dominon gjithandej. Ky standard, në këndvështrimin tim, është bërë ngulfatës dhe po pengon ngritjen në një nivel më të lartë të bërjes shkencë, gjë që duhet braktisur ai dhe duhet ngritur më lartë e duhet avancuar.
Janë botuar jo pak libra, kryesisht përkthime, të cilat janë kontribute serioze, nga se sjellin përvoja dhe bëjnë parashtrime të qarta se si duhet bërë një studim. Sidomos dua të theksoj njërin, konkretisht Si shkruhet një punim diplome – shkencat sociale, të UmbertoEcos. Pas botimit në shqip të këtij libri ku shtjellohet shumë qartë se si duhet shkruar një punim studimor –askush nuk mund të arsyetohet se nuk ka ditur se si duhet qasur në një ndërmarrje shkencore.
Dorën në zemër, të gjitha universitetet pa përjashtim kudo në trevat shqiptare, kanë shkruar udhëzues se si të shkruhen dhe ç’duhet të përmbajë një punim studimor (ese, temë bachelori, masteri e doktorate). Ato shprehin adaptimet e standardeve bashkëkohore të bërjes shkencë. E megjithatë, pjesa dërrmuese e punimeve të ndryshme studimore këto udhëzime i përfillin vetëm formalisht e jo edhe përmbajtësisht. Fjala vjen, nuk mjafton vetëm të figurojë nëntitulli “objektivat” apo “pyetjet studimore”, por kërkohet që ato t’i korrespondojnë përmbajtjes dhe sidomos qëllimit. E si është e mundur që përkundër udhëzimeve sipas standardeve bashkëkohore të bërjes shkencë, të ketë ngecje në përmbushjen e tyre përmbajtjesore, dhe sidomos metodologjike? Me këtë çështje nuk do të merrem këtu, ndonëse mund të theksoj se në shumicën e rasteve tre faktorë janë që ndikojnë në mënyrë të ndërsjellë: papërvoja e kandidatit, mos përkushtimi i mentorit, dhe prirja për dukje formalisht sipas standardeve. Kam dëgjuar arsyetime të ndryshme, deri te thirrja në emër të lirisë akademike, kreativitetit dhe stilit autorial. Këto janë arsyetime farsë, sepse po të ishin të qëndrueshme, atëherë shtrimi i problemit nga aspekti teorik dhe metodologjik do të ishin në nivelin e duhur. Liria akademike, kreativiteti dhe stili autoriale e bëjnë një studim më të veçantë, dhe të realizuar në nivel të lartë shkencor, gjë që në shumicën e rasteve nuk ndodhë me punimet studimore.
Për një konstatim të tillë ka materiale të shumta, aq të shumta sa nuk mund të numërohen madje. Këtu nuk do të merret në shqyrtim tradita e mëhershme, e para dy dekadave, për shkak se ajo gjendje tashmë është tejkaluar. Në kohën kur nuk kishte digjitalizim dhe internet, shumica e punimeve studimore kanë mbetur në arkivat universitare, ku mund të gjenden edhe punime doktorate që nuk janë botuar asnjëherë. Më parë,për të arritur deri te një studim i caktuar është dashur kryesisht të shkohet në arkivat e universiteteve, në bibliotekën kombëtare apo në raste të veçanta të kontaktohet autori për t’i kërkuar ndonjë kopje të studimit të tij; tash me një klikim mund të gjesh përplot punime studimore të të gjitha nivele, prej atyre themelore e deri te punimet e doktoratës. Kjo mundësi qasjeje në punimet studimore është e shkëlqyeshme, si për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar nga njëri-tjetrit, për të njohur mangësitë përcjellëse, ashtu edhe për të shtuar kërkesat që të shkohet drejt standardeve më të larta të punimeve studimore kudo në botën.
Për të bërë shkencë në një mënyrë më afër standardeve me të cilat bëhet shkencë në vendet e perëndimit kam mëtuar të jap kontribut konkret dhjetë vite më parë, më 2008, me botimin nga Kolegji Victory të librit për nevojat studentore “Hyrje në shkrimin akademik” (tekstin e kisha dërguar për shqyrtim, e ai ishte botuar me nguti!). Në atë tekst, si përvojë personale (nga studimet e mia universitare dhe nga studimi i teksteve për shkrime akademike) isha munduar të afirmoja disa standarde themelore se si duhet shkruar punime studimore, të cilat i kisha përmbledhur qartë e kuptueshëm dhe me një prakticitet të theksuar. Kisha synuar të sillja dhe të kultivoja frymën e shqyrtimit e jo thjesht vetëm të përshkrimit (deskriptivizmit) po te aspekti shqyrtues. Theksin e kisha vënë te struktura tri hallkëshe e një punimi studimor – hyrja, trungu ose pjesa kryesore dhe përfundimi. Në kuadër të trungut kisha vënë theksin te shtjellimi dhe diskutimi, e si rrjedhojë e këtyre të vinte përfundimi (rezultati i studimit). E kisha tërhequr vëmendjen dhe kisha inkurajuar “mendimit kritik”. Nga kjo qartë shihet prirja për të nxitur shqyrtimin kritik dhe diskutimin e asaj që shtrohej në shtjellim për të arritur te rezultatet. Midis shtjellimit dhe rezultatit kisha nënvizuar nevojën e pjesës së diskutimit, që domethënë se “rezultati” duhet të rrjedhë nga “diskutimi” e jo vetëm nga “shtjellimi”.Ky është një rrjedhim tre-relacional.
Që atëherë kanë kaluar dhjetë vjet, e në trojet shqiptare gjithandej janë themeluar plot e përplot universitete –institucione publike e private, dhe bashkë me këtë është rritur edhe korpusi i punimeve studimore, të cilat, çdo vit, janë me qindra e ndoshta me mijëra. Për shumë vite kam qenë dhe vazhdoj të jem afër me rrjedhat e punimeve studimore, edhe për faktin se kam ligjëruar në disa universitete, kryesisht lëndën Shkrimi Akademik dhe Metodologjia e Hulumtimit Shkencor, Epistemologjia dhe Etika. Gjatë këtyre viteve kam parë shumë, kam kuptuar dhe kam mësuar shumë lidhur me qasjet, prirjet dhe mënyrën se si bëhen punimet studimore (si punime seminari, ese, tema bachelor, master apo doktoratë). Ajo që më ka tërhequr vëmendjen në punime të tilla ka qenë se si bëhet realizimi i tyre nga aspekti metodologjik dhe akademik, për çka kam bërë shqyrtime, analiza e njohje me probleme të ndryshme shkencore të cilat ndër vite i kam mbajtur shënime. Këtej kam shquar disa mangësi, që nuk janë të rastit, as thjesht teknike, por janë komponentë themelor, që përsëriten dhe janë thuaja karakteristike sa që shkrimi i punimeve studimore sikur është bërë një prodhim serik, si një lloj shablloni, me shumë pak kreativitet, aty-këtu ndonjë mendim kritik i ndërfutur dhe, thuaja si përjashtim, pjesa shqyrtuese (“diskutimi”). Këto, në një farë mënyre, janë shndërruar në standarde, pasi që shumica e punimeve prej të cilave merret titull shkencor mbeten në suaza të kornizave të tyre. Pikërisht këto mangësi dua t’i vë në shënjestër, t’i theksoj, dhe përmes një qasjeje kritike të hedhë dritë në to dhe të japë një impuls, një nxitje e shtytje që të shkohet më tutje, të tejkalohet kjo gjendje dhe të bëhet një punë më e mirëfilltë studimore.
Për të kuptuar natyrën e çështjeve që do të ngritën dhe do të shqyrtohen duhet theksuar se punimet të cilat do të vihen në shënjestër këtu janë të karakterit teori-bazuar dhe jo teori-kërkues. Te kjo e fundit, dihet, qasja është krejt tjetër, si nga aspekti metodologjik, ashtu edhe nga aspekti shtjellues, shqyrtues dhe arritja te përfundimet. Punimet studimore teori-bazuar janë ato që dominojnë. Kjo është një frymë e studimeve bashkëkohore e botës akademike dhe universitare në pjesën më të madhe të vendeve të botës, e që edhe universitetet në trevat shqiptare janë përcaktuar për studime të tilla, pra teori-bazuar. E tërë ajo që do të shkruhet e thuhet në këto shqyrtime ka të bëjë, pra, vetëm me këtë lloj të punimeve studimore universitare dhe akademike. Liria akademike nuk nënkupton studimin dosido; ajo të krijon hapësirë për të ndjekur një strukturë të caktuar – sigurisht jo një të vetme, por një të tillë që buron dhe është në përputhje me natyrën dhe karakterin e një studimi, duke ruajtur thelbin shkencor në aspektin metodologjik, teorik dhe përmbajtjesor.
I. HYRJA DHE PROBLEMET THEMELORE TË SAJ
Mënyrat se si mund të formulohet një hyrje në një studim janë të larmishme dhe nuk ka ndonjë përkufizim të rreptë, që të kishte rolin e normës apo të kriterit që duhet zbatuar me patjetër. Megjithatë, ka një logjikë që duhet ndjekur. Struktura e hyrjes duhet të përgatis teorikisht dhe metodologjikisht mirë e mirë studimin që do të ndërmerret, duke punuar me shumë kujdes, duke i parashtruar të gjitha aspektet e nevojshme dhe të domosdoshme, ashtu që ato të drejtojnë studimin në mënyrën e duhur.
Për të krijuar një rregull mbarështrimi shumë universitete kanë hartuar udhëzues, përmes të cilëve distribuohen dhe sugjerohen standarde thuaja të njëjta, me pak dallime, lidhur me strukturën e hyrjes së një punimi studimor (temë masteri apo temë doktorate). Struktura e hyrjes zakonisht është kjo: titulli i temës, qëllimi i studimit, objektivat e studimit, pyetjet studimore, hipotezat, teoritë, metodologjia, etj.
Në vazhdim do të përqendrohem te pjesët përcaktuese të një studimi, konkretisht te titulli i temës dhe qëllimi, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat. Të tjerat, përfshirë edhe çështjen e metodologjisë, do t’i shqyrtoj si probleme në kapitujt në vazhdim.
1. Hyrja duhet të tregojë kahet e studimit
Për çdo njohës të punimeve studimore universitare është e qartë se është bërë një përparim në aspektin e qartësisë së parashtrimit të hyrjes së një studimi. Te ne ekziston një traditë e përhapur gjerësisht që një punim të hapet me “parathënie”, ashtu sikurse kësaj tash po ia zë vendin “hyrja”.
Në studimet e sotme universitare “hyrja” është bërë praktikë e re; ajo është pjesë integrale thuaja e çdo studimi. Studimi, në një farë mënyre, nuk mund të kuptohet si duhet pa një hyrje, sepse është pikërisht kjo pjesë që tregon qartë se çka do të përmbajë, si do ta realizojë dhe çfarë pritet nga studimi, që pason.
Pavarësisht se si do të quhet pjesa hyrëse e një punimi, ajo duhet të jetë e tillë që të parashtrojë, në mënyrë ravijëzuese, kahet e studimit në mënyrë të qartë dhe të rrjedhshme metodologjikisht.
Në të vërtetë, çështja kryesore që duhet të përmbajë “hyrja” është parashtrimi i problemit studimor.
2. Kuptimi i problemit studimor
Këtu do të rrekem me çështjen themelore të “hyrjes”, për të cilën, dua të theksoj, se është ndoshta ndër pjesët që zakonisht duket më e realizuara dhe që formalisht ndjekë, pak a shumë, standardet bashkëkohore të studimeve. Por unë kam përshtypjen se shpesh nuk është e qartë rëndësia e “hyrjes”, ndonëse kjo është, në një farë mënyre, pjesa përcaktuese e çdo studimi.
Çka është ajo që e bënë “hyrjen” kaq të rëndësishme dhe përcaktuese? Përgjigjja më e shkurtër e mundshme është – problemi studimor.
Këtu shfaqet një sfidë tjetër, që në shumicën e rasteve as që kuptohet drejt. Çështja është kjo: në çka konsiston problemi studimor, cilët janë komponentët e tij, prej se përbëhet ai?
Për ta thjeshtësuar sqarimin po theksoj se problemi studimor përbëhet nga dy aspekte – nga aspekti teorik dhe nga aspekti metodologjik.
Për problemin metodologjik do të flas më vonë, fill pas këtij kapitulli në këtë shqyrtim, kurse këtu dua të përqendrohem vetëm te aspekti teorik i problemit studimor.
Aspekti teorik i problemit studimor ndonjëherë identifikohet me pyetjet studimore, ose me qëllimin, ose me objektivat, ose me hipotezat; më e zakonshmja është identifikimi me pyetjet studimore. Në fakt, problemi studimor është më kompleks se secila prej tyre marrë veç e veç.
Aspekti teorik i problemit studimor nuk është një formulim i thjeshtë. Ai është një strukturë komplekse dhe i përfshinë të gjitha ato që u përmenden më sipër. Kështu, aspekti teorik i problemit studimor ka këtë strukturë: përbëhet nga qëllimi i studimit, objektivat, pyetjet studimore dhe hipotezat. Të gjithat këto, marrë së bashku, natyrisht përfshirë edhe teoritë ku do të bazohet studimi, përbëjnë tërësinë e aspektit teorik të problemit studimor. (Vijon)