Probleme transporti Shqipëri-Turqi, zbardhet dokumenti
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka kërkuar Turqisë njohjen e ndërsjellët të lejeve të drejtimit, por kjo e fundit është ankuar për një sërë problemesh që hasin kamionët turq në doganat dhe territorin shqiptar.
Në datat 12-13 mars një delegacion nga vendi ynë ka vizituar Ankaranë, por kërkesa për një marrëveshje të dakorduar për njohjen e patentave nuk është mirëpritur nga pala turke, e cila i është referuar Konventës së Vjenës të vitit 1968, në të cilën të dy vendet janë pjesë.
Pengesë duket se janë problemet që kamionët turq hasin në vendin tonë, që e përdorin Shqipërinë si portë hyrëse për transportimin e mallrave drejt vendeve të Europës. Sipas një dokumenti që “TV SCAN”, e disponon, delegacioni turk ka paraqitur ankesa për faktin se kamionët turq janë të detyruar të largohen nga Shqipëria brenda tetë orëve nga hyrja, pasi në të kundërt do t’i nënshtrohen gjobave, duke kërkuar që kjo periudhë të zgjatet deri në 15 orë.
Një çështje tjetër e ngritur nga Turqia ishte kufizim i karburantit të detyrueshëm, që aktualisht është 200 litra, duke kërkuar rritje në 500 l deri në anulimin e këtij përcaktimi. Pala turke u ankua gjithashtu edhe për procedurat e reja doganore të zbatuara nga zyrtarët shqiptarë në 2019, për të cilat pretendoi se po shkaktojnë vonesa të gjata. Delegacioni shqiptar, i drejtuar Drejtori i Politikave të Transportit, Thimjo Plaku, ka premtuar zgjidhje për këtë situatë, duke bashkëpunuar dhe me institucionet e tjerë përgjegjës.