Problemet e Petro Markos dhe kërkesa e Ramiz Alisë: Në Kosovë kurrë mos dërgoni dorëshkrime
Në vjeshtën e vitit 1973, Petro Marko ka botuar romanin “Një emër në katër rrugë”, që qëndroi në treg vetëm pak javë. Fati i keq i librit u shënjua nga Ramiz Alia, asokohe sekretar i Komitetit Qendror. Një urdhër i prerë i këtij të fundit çoi për karton brenda natës 25 mijë kopjet e tij.
Nga: Afrim Imaj
Në trajektoren e përballjeve problematike të shkrimtarit të njohur me regjimin, rasti i romanit “Një emër në katër rrugë”, edhe pse nuk shfaqte ndonjë risi, mbart një specifikë sa të veçantë, aq dhe kritike. Botimi i tij në valën e aksionit shpërthyes pas Plenumit IV të Komitetit Qendror (KQ), njohur ndryshe si plenumi i artit dhe kulturës, s’mund t’i shpëtonte llupës së Partisë, me të cilën rishikohej tashmë partishmëria e veprave letrare.
Petro Marko dhe romani i tij nuk mund ta kalonin provimin e vështirë. (Libri ishte shkruar disa muaj para plenumit famëkeq dhe kishte shkuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në shtator të vitit 1972).
Stuhia nisi me një letër anonime në adresë të Alisë pak ditë pasi romani kishte dalë në qarkullim. “Syri i vigjilentit”, i armatosur rishtas me “mësimet e Enverit” për luftën ndaj shfaqjeve të huaja në letërsi dhe art, kishte “zbuluar” te libri i Markos një mori shkeljesh parimore dhe informonte sekretarin e KQ që mbulonte propagandën dhe kulturën, për të reaguar sa më shpejt.
Ky i fundit, i vëmendshëm ndaj raporteve të tilla, urdhëroi menjëherë ministrin e Arsimit dhe sektorin e artit dhe kulturës në aparatin e KQ për ngritur komisione të posaçme që të studionin me sy kritik veprën në fjalë. U deshën vetëm pak ditë që të ngarkuarit nga lideri partiak të sillnin në zyrën e tij raportet përkatëse. Në relacionin e Mantho Balës, asokohe zëvendësministër i Arsimit, rreshtohen qysh në krye katër argumentet që e bënin librin të padobishëm.
“Në romanin e Markos”, shtjellon analiza e Balës, “del e paqartë figura e shokut Enver; Ahmet Zogu jepet vetëm si një feminist i tërbuar, pa përmendur profilin politik si sundimtar arkaik; artikulohet shthurja dhe degjenerimi moral dhe trajtohet shtrembër femra shqiptare. Pak a shumë të njëjtën linjë ruan dhe raporti i grupit të instruktorëve të KQ, në të cilin nënvizohet si dukuria më problematike e romanit prania e skenave liçensioze, episodeve me përshkrime erotike dhe banale”.
Në dosjen sekrete të KQ, përveç këtyre shtjellimeve kritike dhe dorëshkrimeve të dy recentëve, ndodhet ndër të tjera edhe dokumenti me porositë e Alisë për mënyrën si do të operohej me veprën dekadente dhe ndëshkimin e autorit e botuesve …
RELACIONI I MINISTRISË SË ARSIMIT
“Mbi romanin e Petro Markos, “Një emër në katër rrugë”.
Romani ka shkuar në shtëpinë botuese “N.Frashëri” në shtator të vitit 1972. Në muajin tetor-nëntor 1972 është recensionuar nga Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri. Redaktor i veprës është caktuar Llazar Siliqi, i cili ka punuar mbi të nga dhjetori 1972 e deri në maj të vitit 1973. Në qershor 1973 e ka pasur redaksia, kurse autori e ka mbajtur për ripunim nga gjysma e korrikut të këtij viti dhe në 15 gusht vepra është dërguar në shtyp.
Mbasi e lexuam dhe e diskutuam romanin, arritëm në konkluzionin, se ai nuk duhet të qarkullojë për këto arsye kryesore:
– Regjimi i Zogut nuk pasqyrohet me forcën e duhur në aspektin e tij klasor. Duke u marrë më shumë me shthurjen morale dhe injorancën që karakterizonte njerëzit në shërbim të këtij regjimi, autori thuajse ka lënë jashtë këndit të vështrimit veprimtarinë politike të këtij mbreti satrap.
– Tërë romani përshkruhet nga shthurja dhe degjenerimi moral, nga skena e përshkrime erotike dhe banalitete që do të ndikonin negativisht tek lexuesi. Në mënyrë krejt të shtrembër paraqitet femra shqiptare. Del sikur ajo që në takimin e parë me mashkullin mendon vetëm për dashuri, bile në këtë drejtim tregohet e guximshme e iniciatore, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Duke spekuluar mbi pasqyrimin e shthurjes morale të regjimit në fuqi, autori nuk ka ruajtur sensin e masës dhe të krijohet përshtypja sikur këto ishin fenomene të përhapura gjerë në vendin tonë, çka nuk është e vërtetë.
– Figura e shokut Enver nuk paraqitet drejt, saktë e gjerë. Madje, ka episode të tilla kur veprimtaria e tij reduktohet në dhënien e 20 napolonave flori për të shpëtuar një vajzë (Qazimen) nga i fejuari, të cilin ajo nuk e duronte. Dhe kjo ndodh në një kohë kur dihet se shoku Enver përballonte probleme shumë më të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e atdheut dhe të revolucionit.
– Disa personazhe nuk i pasqyron drejt. Kështu mund të përmendim Rizon. Duke theksuar injorancën e tij, të lokalizuar “nga një fshat i Kurveleshit”, pavarësisht nga qëllimi që i ka vënë vetes autori, konfirmon propagandën e megali-idesë se shqiptarët janë injorantë të egër etj. Kjo figurë negative nga Kurveleshi, e paraqitur pa ndonjë personazh pozitiv po nga kjo krahinë e Labërisë që t’i kundërvihej, nuk tingëllon mirë. Demiri nga Peqini për lexuesin tonë nuk mbetet figurë e krijuar, por historike dhe prandaj, ashtu si trajtohet, nuk duhet të zërë vend në veprat tona. Edhe figura të tjera të fshatit Dhrimadhe, sado që duken të krijuara, veçanërisht për lexuesin e asaj krahine njihen, prandaj paraqitja e tyre në mënyrë të pasaktë historikisht nuk është e drejtë.
– Romani ka pasaktësira historike edhe për sa i përket vendosjes së ngjarjeve në Dhrimadhe. Për lexuesin është e qartë se këtu kemi të bëjmë me Dhërmiun. Por ta paraqitësh atë si një qendër të lëvizjes përparimtare e revolucionare në bregdet, nuk duhet se s’ka qenë i tillë, do të thotë të shtrembërosh realitetin historik. Vënia e emrave të krijuar e për më tepër me ngjashmëri si për disa personazhe ashtu edhe për vendi, nuk mund ta justifikojë autorin, i cili njeh mirë specifikën e lexuesit dhe të vendit tonë.
– Duke u nisur nga fakti se lexuesi e ka të lehtë të kuptojë se Gjik Bua është vetë autori, rolin që i atribuohet atij si përhapës i ideve komuniste dhe i lëvizjes nacionalçlirimtare në bregdet, nuk është i saktë as për periudhën para formimit të Partisë dhe aq më pak pas saj. Në këtë vështrim ne mendojmë se me elementët autobiografikë është tepruar shumë, duke kaluar në autolëvdata të pamerituara. Recezentët kanë ngritur disa probleme, por nuk i kanë shkuar deri ën fund veprës. Kurse redaksia nuk ka realizuar as vërejtjet e recezentëve dhe nuk u ndal seriozisht te kjo vepër, sidomos pas fjalimit të shokut Enver dhe materialeve të Plenumit IV, kur ajo rishikoi shumë vepra të tjera që kishte në shtypshkronjë apo në proces.
Përgjegjësia kryesore për këtë vepër të gabuar bie mbi drejtorin e shtëpisë botuese dhe personalisht mbi ish-drejtorin e saj, Ali Abdihoxha, dhe nëndrejtorin Alqi Kristo, të cilët janë kritikuar dhe më parë për praktika të tilla pune. Përgjegjësi të rëndë ka gjithashtu redaksia me në krye Dhurata Xoxen, e cila nuk e vlerësoi drejt shqyrtimin e romanit as edhe disa vërejtje të recensentëve, redaktori Llazar Siliqi, i cili nuk duhej të kishte lejuar t’i kalonte një vepër e tillë. Recezentët Dalan Shapllo e Dilaver Dilaveri, të cilët nuk u thelluan sa duhet në gabimet e veprës, por e quajtën atë “pozitive dhe me vlera edukative”.
Për këto arsye u porosit shtëpia botuese të bëjë një analizë të thellë, të nxjerrë shkaqet, të përcaktojë përgjegjësit dhe masat që duhet marrë. Ne mendojmë që Lidhja e Shkrimtarëve në bashkëpunim me shtëpinë botuese të organizojë një diskutim për romanin si dhe për dramën e të njëjtit autor ‘Niku i Gjin Martinit’, botuar në “Nëntori”, nr. 11.
Sipas marrëveshjes që kemi me shtëpinë botuese “Rilindja” të Kosovës, një kopje e dorëshkrimit të këtij romani është dërguar atje në kohën kur romani u dërgua në shtypshkronjë. Prandaj, do lidhemi në telefon me entin botues ‘Rilindja’ për t’ua kërkuar që të na e kthejnë kopjen e romanit, nën pretekstin e ripunimit nga ana e autorit.
Zëvendësministri i Arsimit Mantho Bala
Tiranë, më 4.12.1973”
RELACION I APARATIT TË KQ
“Mbi romanin e Petro Markos, ‘Një emër në katër rrugë’.
Romani është vepër autobiografike, personazhi kryesor personifikon Petro Markon; ai jepet si figura kryesore revolucionare, si figurë qendrore në përhapjen e ideve komuniste. Vepra shtrembëron të vërtetën historike lidhur me lëvizjen revolucionare dhe luftën nacionalçlirimtare. Është pasqyruar dobët në mënyrë skematike dhe pa dinjitet roli i shokut Enver. Nuk pasqyron në aspektin klasor regjimin e Zogut. Vihet theksi në shthurjen morale që karakterizonte Mbretin Zog dhe njerëzit në shërbim të tij, pa u thelluar në veprimtarinë e tij politike dhe figurën e tij si shtypës dhe sundimtari më i egër i popullit. Romani ka shumë skena licensioze, episode e përshkrime erotike dhe banale të tipit Dekameron, që ndikojnë negativisht te lexuesi”.
POROSITË E RAMIZ ALISË
“Shoku Pipi (Mitrojorgji) Lidhur me romanin Petro Markos siç del edhe nga propozimet tuaja dhe të Ministrisë së Arsimit, të veprohet menjëherë:
– Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë dhe shoku Dritëro Agolli dhe Thanas Leci e Ali Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumente ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave. Manthua të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi të kritikojë librin.
– Të shtrohet në organizatën bazë të partisë së Ndërmarrjes dhe të diskutohet përgjegjësia e A. Abdihoxhës dhe të tjerëve që lejuan botimin e librit. Përgjegjësia e tyre është akoma më e madhe, sepse recezentët, sido që shprehen pozitivisht, kanë bërë dhe vërejtje që romani duhej ndrequr. Sidomos Dajlani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u morën parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.
– Po kështu, në organizatën bazë përkatëse duhet të kritikohet Ll. Siliqi e D. Shapllo. Llazari si redaktor kish edhe vërejtjet e recezentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën të ndreqen, pa lere që edhe ky e pranoi romanin. Dalani, megjithëse bën vërejtje disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra, të botohet? Askush nuk tërheq vëmendjen që romani është libër autobiografik. Pse kështu?
– Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse. Edhe pushimi i A. Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: Që nga Petrua, te Llazari, recenzentët e redaktori. Sipas rregullave duhet të caktohet si do të veprohet.
– Libri të kalojë në karton, d.m.th., të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.
– Të merren masa urgjente për ta tërhequr librin e Petro Markos nga Kosova. E kam thënë dhe herë tjetër në mbledhjet me përgjegjësit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet të dërgojmë dorëshkrime, por të dërgojmë kopje të librave pasi dalin te ne në qarkullim. Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që ky roman të botohet atje.
– Këto materiale që kemi në këtë dosje t’i lexojë edhe shoku Manush sepse Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të jetë në dijeni ç’bëhet në institucionet e Tiranës.
Ramiz Alia, 11.12.1973”.
“KËSHILLA” E HYSNI KAPOS
“Shoku Ramiz, Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recezentë të librit që i ka ngarkuar ndërmarrja e botimeve. Recensionet janë bërë në nëntor 1972. Pra, kjo dëshmon sa koncepte të gabuara kanë recenzentët dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhës, Xoxën etj., që kur kanë parë recensuat, ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhet korrigjuar, kurse këta e shtypën.
Unë mendoj përveç masave shtetërore dhe materiale që duhen marrë ndaj tyre, duhet të japin llogari dhe para organizatës së Partisë ku bëjnë pjesë.
Gjithë këtë material duhet ta shohë edhe shoku Manush mbasi të gjitha këto kuadro janë nën vartësi dhe si efektiv i KP të rrethit të Tiranës, dhe Partia në rreth, duhet të ketë dijeni të plotë e të ndjekë çështjen.
Hysni Kapo, 11.12.1973”.
VËREJTJET E RECEZENTËVE
Dalan Shapllo: “Në roman duhet të dalë më mirë figura e shokut Enver, sidomos roli i tij pas çlirimit. Mbreti Zog në vepër të mos nxirret vetëm me aventurat e tij ironike, por si njeri politik, dinak, tiran dhe djallëzor në kurdisjen e planeve.
Autori duhet të bëjë një punë të menduar mirë për ta lehtësuar veprën nga erotizmi i tepërt, pa kriter, nga efeksimi seksual dhe nga sensualizmi që jepet kalimthi. Vepra duhet të përshkruhet më mirë nga një moral i ri dhe një atmosferë më e virtytshme. Vepra mund të shkartohet mjaft nga marrëdhëniet midis personazheve, anekdotat e fshatit për historitë jashtë atdheut. Ajo ka mundësi të ngjishet, të çlirohet nga materiali i tepërt, të përcaktohet më mirë rruga e disa karaktereve, komentet emfatike, agjitative etj.”
Dilaver Dilaveri: “Autori e ka mbingarkuar veprën me anekdota të stilit Bokaçio, funksioni i të cilave ezaurohet qysh te dy-tri faqet e para, kurse më pas ato bëhen qëllim në vetvete. Në vepër grupi i revolucionarëve që vepronin para formimit të Partisë, jepet më tepër në grup dhe jo të individualizuar. Të duket sikur secili prej tyre vepron për hesap të vet.
Ata më shumë mbeten skematik, të thatë e pa jetë. Autori duhet të rishikojë ato momente që lidhen me figurën e shokut Enver dhe me fillimet e punës së tij në Tiranë. Figura e tij të marrë më shumë jetë në tiparet që e karakterizonin, pa trilluar gjëra apo episode të paarrira.
Në roman Zogu del një feminist i tërbuar, që preokupohet vetëm për femrat që fut në shtrat, kur ishte sundimtar i egër. Për këtë duhet urryer ai më tepër dhe jo vetëm për vajzat që përdhunonte”.