![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/01/perparim-kryeziu-600x360-1.jpg)
Problemet serioze në sistem, Kryeziu: Qeveria s’ka të bëjë me serverët e as softwaret e KQZ-së
Sistemi online i KQZ-së ku raportohen votat e numëruara dhe procedohen me përqindje, ka pasur probleme të theksuara që nga mbrëmja e 9 shkurtit.
Ka pasur shumë kritika në adresë të KQZ-së dhe institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e faqes dhe sistemit online.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka dalë me një reagim në “Facebook”, duke thënë se Qeveria s’ka të bëjë as me serverët e as me pjesën softuerikë të KQZ-së.
Postimi i tij i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik: https://telegrafi.com/kqz-pranon-si-donacion-servere-dhe…/
Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave.
Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet.