Procedohet për Kuvend iniciativa për themelimin e Komisionit Hetimor për veteranët e UÇK-së
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e se premtes ka proceduar për në Kuvend propozimin e kryetarit Kadri Veseli, mbështetur nga shtatë deputetë të tjerë për themelimin e Komisionit Hetimor në lidhje me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa Projektligji për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligji për ndryshim-plotësim i Ligjit për Automjete nr. 05/L-132, si dhe Projektligji për Kuvendin e Republikës së Kosovës janë proceduar për mendim në qeveri.
Ndërkohë dy projektligje të tjera, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-004 për Presidentin e Republikës së Kosovës janë proceduar për shqyrtim në komisionin përkatës funksional dhe do tu shpërndahen deputetëve.
Po në këtë mbledhje, Kryesia është njoftuar me raportin e Auditimit për Kuvendin e Republikës së Kosovës për vitin financiar të përfunduar me 31 dhjetor 2018, ndërsa miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2019, si dhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2020-2022, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave 2020/01.
Kryesia e Kuvendit në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe çështje të tjera nga fusha administrative.