Procesi gjyqësor ndaj grupit ilegal “Grupi i Lidhjes së Prizrenit” më 1950
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Duhet theksuar se, edhe pas përfundimit të LDB-së, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Patjetër duhet përmendur ONDSh-në, e cila vepronte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë dhe kryesisht ishte e përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Organizata udhëhiqte një politik kombëtare e demokratike pro perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LShP-së.
Menjëherë pas zbulimit dhe arrestimeve të anëtarëve të organizatës së NDSh-së (1947), në Kosovë filloi të riorganizohej dhe të konsolidohej Lëvizja ilegale gjithë andej ku jetonin shqiptarët. Por, ndodhte edhe kjo, kur shumë organizata të sapo formuara, edhe pse kishin programin e LNDSh-së, ato filluan të pagëzoheshin me emra të tjerë. Bile për të qenë sa më besnike ndaj kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në disa pjesë të Kosovës e Dukagjinit, organizatat i pagëzuan me të njëjtin emër.
Procesi gjyqësor i mbajtur më 24, 25 dhe 26 korrik të vitit 1950, dëshmonte të dhënën për ndikimin e madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tek populli i cili padrejtësisht kishte ngelur nën okupimin Serb e Jugosllav. Në bazë të këtyre dokumenteve, vijmë deri te të dhënat shumë me rëndësi dhe me interes për historinë më të re të popullit shqiptar që deri më 1999 luftoi për të drejtat e veta elementare njerëzore e kombëtare.
Vazhdimisht, duke iu referuar dokumenteve të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, thuhej se Organizata “Lidhja e Prizrenit”, ishte formuar diku në muajt e verës të vitit 1949, nga anëtarë të pjekur politikisht dhe që të gjithë ishin atdhetar të shquar dhe që kishin eksperiencë të bollshme politike. Bile, disa nga anëtarët e organizatës qysh më herët kishin qenë anëtarë të një organizate ilegale që kishte vepruar më herët (1945-1947), në Prizren. Organizata në fjalë, programin e vet e kishte bazuar kryekëput në kërkesat e LShP-së, që për bazë kishin të vërtetën historike, të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet, dhe në parimet e demokracive perëndimore.
Siç e thamë më lart, organizata ishte formua më 1949, ndërsa veprimtaria dhe anëtarët e saj u zbuluan me 1950 . Disa nga anëtarët e saj u arrestuan dhe u dënuan në procesin gjyqësor të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, më 1950.
Pushtetarët, duke e parë se situata politike në rrethin e Prizrenit në vitet e pas luftës e deri më 1950, po iu ikte nga dora dhe veprimtaria atdhetare e ilegale po shtohej dita më ditë, udbashët filluan me të madhe të shtonin survejimin dhe të përcillnin çdo atdhetar se kah shkonte dhe se me çfarë po merrej. Përcjellja e udbashve ishte e thellë dhe shumë e fshehtë, andaj nuk vonoi shumë dhe në muajt shkurt e mars nëntë anëtarë të organizatës “Lidhja e Prizrenit” u hodhën në burgun hetues të Prishtinës.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në përbërje nga Dushan Staniqi, kryetar dhe nga gjykatësit porotë: Qedomir Iliqi dhe Muharrem Agja, që të dy punëtor nga Prishtina dhe me procesmbajtësen Dosta Popov-Regjepagiqin, sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut me numër 79/50 nga 27 qershori 1950, të cilën aktakuzë e përfaqësonte Bora Stanojeviqi.
Mbajtja e procesi gjyqësor
Procesi gjyqësor për këta të akuzuar u mbajt gjatë ditëve 24, 25 dhe 26 korrik të vitit 1950. Ndërsa aktgjykimi për këta persona u shpall me 27 korrik, po të njëjtit vit. Gjykatësi, mbylli procesin gjyqësor, duke i shpallur që të gjithë të akuzuarit fajtor dhe duke ia shqiptuar dënimin në bazë të nenit 13 të ligjit penal të Jugosllavisë gjëja se që të gjithë kishin kryer vepra penale kundër popullit dhe shtetit.
Ata u shpallën fajtorë, ngaqë kishin planifikuar se me dhunë do të rrënonin rendin shoqëror në RFSJ, dhe me dhunë do ti bashkoheshin Shqipërisë duke kthyer përsëri rendin kapitalist në atë shtet. Nga kjo e dhënë shihej qartë se çfarë farse i shiste pushteti jugosllav popullit shqiptar dhe se sa “mëshirëplotë” ishte treguar për Shqipërinë dhe për frikën që aty do të instalohej sistemin kapitalist. Dhe, kjo nuk ishte e vetmja farsë, po në këtë mënyrë në Konferencën e tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi (siç quhej në atë kohë), edhe Bllagoje Neshkoviqi ishte arsyetuar para delegatëve, duke thënë se “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, tani për tani është i pamundur, ngase forcat reaksionare e kapitaliste janë në fuqi në Kosovë dhe ekziston rreziku se po qe se bashkohet kjo krahinë me të, mund të rrënohej edhe rendi komunist në atë shtet”, përfundon ai. Po edhe me këtë dokument dëshmohej se, sa “qëllimmirë” u tregonin okupuesit duke u “kujdesur “ për rendin shoqëror në Shqipëri.
Kjo organizatë, sipas këtij dokumenti kishte veprua që nga viti 1949 e deri më 1950, duke riorganizuar organizatën atdhetare NDSH-në, dhe duke e pagëzuar këtë grupim me emrin e ri “Lidhja e Prizrenit”. Organizata ilegale vlen të përmendet se veprimtarin e saj e kishte shtrirë në shumë rrethe të Kosovës e të Dukagjinit, duke përfshirë dhe anëtarësuar disa qindra anëtar. Veç punëve atdhetare si aktiviteti, besnikëria dhe angazhimi i anëtarëve që sa më shumë të propagandonin punën në teren dhe të angazhonin sa më shumë anëtarë. Si detyrë parësore ishte edhe pagesa e anëtarësisë. Duhet theksuar, se që të gjithë anëtarët e saj ishin shumë të rregullt dhe të përpiktë në pagesën e tyre. Bile, kishte raste kur anëtarët paguanin edhe më tepër se sa ishte e caktuar por, edhe sillnin donacione të ndryshme, që më vonë, atyre iu mundësonte që me parat e grumbulluara të furnizoheshin me materiale të mjaftueshëm propagandistik por edhe për nevoja të tjera të organizatës.
Në dokument, thuhej edhe kjo, se pas një kohe, organizata kishte rregulluar edhe vulën e vet me inicialet e organizatës. Kryesia e organizatës ilegale, kishte rregulluar edhe vula tjera të posaçme të cilat shërbenin për të vulosur materialet e ndryshme apo letrat që këmbenin me anëtarë të tjerë. Para anëtarëve të kryesisë anëtarët e rinj, para se të pranoheshin bënin betimin për besnikëri që do të kenë gjatë punës në këtë veprimtari.
Organizata ilegale-politike “Lidhja e Prizrenit”, dallohej sidomos me rregullsinë dhe angazhimin e pa kompromis të anëtarëve të saj. Anëtarët e Kryesisë, por edhe anëtarët e tjerë ishin shumë aktiv në hartimin dhe shpërndarjen e afisheve të ndryshme në qytet por edhe në fshatrat tjera për rreth të Prizrenit por edhe më larg. Kryesisht, me anën e tyre apelonin tek qytetaret për situatën e rëndë politike dhe për padrejtësitë e shumta që iu bëheshin shqiptarëve. Shpesh ndodhte, që në mbledhjet e organizatës, merrte pjesë një numër i konsideruar i anëtarëve. Të gjithë ata që merrnin pjesë mbahej evidenca në një fletore të posaçme, e cila ruhej në një konspiracion të thellë nga ana e anëtarëve.
Sipas dokumentit, thuhej se për të gjithë ata që ishin të akuzuar, kishin pasur pozita të rëndësishme në organizatë dhe sipas aktgjykimit që të gjithë ishin të ngarkuar për veprimtari “armiqësore”. Se, çdo kërkesë që kishte karakter të barazisë dhe lirisë kombëtare, për pushtetarët ishte herezi, dhe pa ngurruar ata shqiptonin dënime drakonike duke i shpallur se ishin kundër popullit dhe shtetit.
Sipas aktgjykimit, dhe çdo logjike të shëndosh, dënimet që iu shqiptuan të akuzuarve ishin me prapavijë politike dhe jashtë çdo normaleje, vetëm e vetëm që tek popullata e pafajshme të fusin frikën dhe panikun. Gjykatësi serbë që kishte një lloj paranoje të pa definuar ndaj atdhetarëve shqiptar, atdhetarit të orëve të para, Shaban Mazrekut i shqiptoi dënimin, hiç më pak se me burg të përjetshëm (101 vjet burg), ndërsa Shaban Dërgutit, Mustafa Nixhës dhe Jakup Hoxhë Murtezit, i shqiptoi dënimet, me nga 20 vite burg të rëndë.
Para trupit gjykues dolën këta të akuzuar :
1. Shaban Dërguti, student i agronomisë, nga Rahoveci. Po aty, ishte edhe i lindur më 1924. Babai i tij quhej Vesel dhe nëna Sanije e quajtur Sharku. Shabani, në kohën kur u arrestua (22 shkurt 1950), ishte i pa martuar. Vinte nga një familje e mesme e kamur. Për veprimtarin ilegale atdhetare, në procesin gjyqësor iu shqiptua dënimi prej 20 vjetësh burg të rëndë.
2. I akuzuari Mustafa Nixha, me profesion ishte nëpunës në Prizren, ndërsa i lindur në Gjakovë më 1918. Babai i tij ishte Emini, dhe nëna Naxhija e lindur Zërza. Para se të arrestohej (19.02.1950), ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e lëshuar më 27 korrik 1950, Mustafa Nixhën e dënoi me 20 vjet burg të rëndë.
3. I dënuari i tretë, Shaban Mazreku, bujk nga fshati Sopin, nga rrethi i Suharekës, ishte i lindur me 1919, nga babai Ibrahim dhe nëna Ajshe. Ishte i martuar dhe në burgun hetues ndodhej që nga 19 shkurti 1950. Në procesin e grupit të “Lidhja e Prizrenit”, me 27 korrik, iu shqiptua dënimi me burg të përjetshëm, apo 101 vjet burg.
4. Biter Dehalla, zejtar nga Prizreni, ku edhe ishte i lindur më 1929 nga babai Tushi dhe nëna Mone. Në kohën kur u arrestua ishte i pa martuar, dinte shkrim-lexim dhe vinte nga një familje e varfër që, jetonin nga të ardhurat që i fitonte ai. Nga organet e ndjekjes u arrestua me 1 mars të vitit 1950. Më 27 korrik gjykatësi Dushan Staniqi, iu shqiptua dënimin prej 17 vitesh burgim. (Vijon)