Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë konsolidimin tonë demokratik dhe zhvillimin ekonomik
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tryezën e diskutimit “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal” organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), në bashkëpunim me HD – Qendra për Dialog Humanitar.
Dy javë para Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij takimi për të diskutuar se çfarë po bën qeveria për zbatimin e angazhimeve të marra, por edhe për të ofruar transparencë për qytetarët.
Nënshkrimi i tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë vitin e kaluar në Berlin, sipas kryeministrit, shënon një hap të madh përpara për rajonin, derisa tha se Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë konsolidimin tonë demokratik dhe zhvillimin ekonomik, pasi që angazhimi ynë në rajon dhe në botë pasqyron punën tonë në shtëpi.
“Ne kemi treguar se ajo që Republika e Kosovës sjell në Procesin e Berlinit është një përkushtim i vendosur për lirinë dhe demokracinë, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, theksoi ai, duke përmendur faktin që Kosova është vendi i parë që i ka ratifikuar të tre marrëveshjet të nënshkruara në Berlin, në kuadër të këtij procesi.
Kryeministrit nënvizoi edhe faktet se Kosova është radhitur e para në Ballkanin Perëndimor për përmirësimin e sundimit të ligjit nga Projekti Botëror i Drejtësisë; përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile nga Freedom House; përmirësimin e luftës kundër korrupsionit nga Transparency International; lirinë e shtypit nga Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij; demokracinë liberale dhe elektorale nga indeksi i Varieteteve të Demokracisë të Institutit V-Dem; për mbledhjen e të ardhurave tatimore nga FMN; si dhe për paketën më të madhe fiskale për të ndihmuar qytetarët të përballen me krizën ushqimore dhe energjetike dhe të luftojnë inflacionin, nga Banka Botërore.
Në pritje të Samitit të Tiranës, kryeministri përmbylli fjalën e tij duke theksuar nevojën për vlera dhe qëllime të përbashkëta, zbatimin e plotë të marrëveshjeve që nënshkruam vitin e kaluar, më 3 nëntor në Procesin e Berlinit dhe një angazhimin të ri që largon edhe më tej barrierat midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.