Procesi i Berlinit, mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim Siemtje Moller, sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, njëherësh zëvendësministre e Mbrojtjes.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri ka theksuar rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë.
Ai vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.
U bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit.