Procesi i Berlinit, përbashkues apo përjashtues për Kosovën?

12 shtator 2024 | 08:19

Njohësi i integrimeve europiane, Shenoll Muharremi, thotë se Procesi i Berlinit dhe vetë procesi i integrimit nuk është një proces përjashtues. Përkundrazi, sipas tij, këto modele janë krijuar që të afrojnë palët, të gjejnë rrugë për të ardhme ku interesat e përbashkëta i bëjnë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që t’i harrojnë mospajtimet.

Muharremi thotë se përderisa BE-ja dhe Gjermania kanë të drejtë që të kërkojnë që Kosova të pranojë të ecë tutje me fusnotë, edhe Qeveria e Kosovës e cila e ka trashëguar atë marrëveshje ka të drejtë që të kërkojë trajtim të barabartë.

“Ky ‘konflikt’ është indikator që ka ardhur koha që mos të ketë trajtim dhe marrëdhënie asimetrike për asnjë shtet”- tha Muharremi për KALLXO.com.

Njohësi i këtyre çështjeve, thotë se është mirë që Gjermania dhe Qeveria e Kosovës të vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje kompromisi që mundëson të lëvizë rajonin përpara.

Vetë Procesi i Berlinit do të dëmtohet nëse është përjashtues dhe nuk përfshin të gjitha vendet, thotë Muharremi.

Në këndvështrimin e tij, Kosova ka bërë bukur shumë kompromise në dekadat e fundit, por gjithashtu ka fituar shumë benefite nga bashkëpunimi, përfshirë këtu edhe vet pavarësinë.

“Teknikisht, Kosova i humb rreth pesë miliardë euro në vit, gjysmën e ekonomisë- me humbje tregtare. Kështu që edhe pse është mirë të jetë e hapur, ajo duhet të forcoj ekonominë e brendshme që të jetë një partner i barabartë në tregti”- shtoi ai.

Rrjedhimisht, Muharremi thotë se më shumë humbet vet CEFTA nga mospjesëmarrja e Kosovës, se kjo e fundit është një neto-importuese.

Edhe profesori në Universitetin e Winchesterit në Angli, Seb Bytyçi, thotë se meqenëse çështja lidhet me masat e sigurisë, atëherë mund të bëhet një kompromis që të hiqen masat dhe kjo të hyjë në fuqi momentin e ardhjes së skanerëve.

“Duke qenë se ka hapësirë për kompromis, nuk besoj se Kosova do të mbetet jashtë Procesit të Berlinit”- tha ai

Mirëpo, kjo ndoshta nuk do të ndodhë deri para Samitit të 14 tetorit, thotë Bytyçi.

Anët politike

Në pyetjen e KALLXO.com drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në lidhje me këtë çështje, ai nuk u përgjigj direkt nëse kanë marrë ndonjë paralajmërim zyrtar, përveç deklaratave të Sarrazinit se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, por e lidhi me procesin e dialogut.

Konjufca tha se Kosova dëshiron të mbërrijë në një pikë e që kjo sipas tij është betejë e drejtë ku sundimi i ligjit mos të cilësohet si destabilizim.

“A ka mundësi me bo shtrirje të ligjit, edhe shtrirje të sovranitetit dhe mos me qenë destabilizim. Ndoshta nuk e kemi gjet mënyrën më të mirë, por do ta përmirësojmë. Drejtimi është i mirë dhe i duhuri”- u përgjigj Konjufca.

Kryekuvendari tha se Kosova është e diskriminuar dhe e pabarabartë në Procesin e Dialogut.

Në lidhje me këtë çështje, u pyet edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Kosovë, duke marrë parasysh që edhe Shqipëria është pjesë e këtij procesi.

“Procesi i Berlinit duhet të jetë gjithpërfshirës dhe padyshim që Kosova duhet të ketë vendin e saj si e barabartë për të garantuar ato të drejta dhe të mira që vijnë nga Procesi i Berlinit”- tha ajo.

Spiropali tha se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë sot e gjithmonë, “Shqipëria beson që Kosova ka të drejtë për të vendosur sovranitetin në tërë Kosovën ashtu siç duhet të vendosë sundimin e ligjit”.

Ajo beson që  Kosova duhet të jetë zot shtëpie në shtëpinë e vet dhe se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë pa diskutim është një platformë që duhet të garantojë standarde të njëjta, kushte të barabarta dhe duhet përfundojë me marrëveshje që shteti i Kosovës të njihet si i pavarur.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane kanë këndvështrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Nga opozita besojnë që qëndrimet e Kurtit në vazhdimësi po devijojnë rrugën drejt integrimit europian, ndërsa pozita beson që kjo është rruga e duhur.

Agon Batusha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), thotë që personalisht nuk mendon që Kosova do të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, ani pse sipas tij gjasat sado të vogla ekzistojnë.

“Gjithmonë në bazën e parimeve të shëndosha, duke respektuar të drejtat sovrane te shteteve dhe trajtimin e barabartë të tyre, veçanërisht të Kosovës si shtet ndaj të cilit po kërkohen kompromise të padrejta”- tha Batusha

Në botëkuptimin e deputetit të partisë në pushtet, Kosova është ndër shtetet më të përkushtuara në Procesin e Berlinit.

“Madje, Kosova ishte e vetme që ngritit shqetësimin e zëvendësimit të Procesin të Berlinit me Open Balkan. Ky i fundit ishte një proces paralel që të vetmin qëllim kishte hegjomoninë serbe në rajon”- shtoi ai.

Përderisa Kosova kryen gjitha obligimet e veta në Procesin e Berlinit, Batusha thotë se është një insistim i zyrtarëve nga shtetet anëtare të BE-së që Kosova të bëjë kompromis në CEFTA.

“Ne jemi për të ecur përpara duke mbrojtur interesat e Kosovës, por nuk mund të vendosim në pikëpyetje sigurinë nacionale të Kosovës”- tha Batusha, duke shtuar që nuk është kjo qasje e duhur ndaj Kosovës.

Batusha tha se në këto momente, Kosova nuk e ka këtë siguri, sidomos kur dihen qëllimet e Serbisë ndaj shtetit tonë.

Partitë opozitare ndërkaq po e akuzojnë kryeministrin Kurti që me qasjen e tij ndaj çështjeve të rëndësishme për të lehtësuar rrugën drejt integrimeve europiane po e dëmton Kosovën.

Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),  thotë se me këtë Qeveri, me kryeministrin e tanishëm, qasjen dhe komunikimin që e ka me bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet e Bashkimit Europian, por edhe më gjerë, asgjë nuk është e pamundur, qoftë edhe përjashtimi nga Procesi i Berlinit.

“A e dëmton interesin shtetëror të Kosovës, a e dëmton perspektivën e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike padyshim që e dëmton. Siç po shihet çdo ditë e ma tepër po vërtetohet që e kemi një kryeministër dhe një Qeveri që është e papërgjegjshme dhe jashtë realitetit që mbretëron brenda vendit por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë”- tha Reçica për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se deklaratat e përfaqësuesve gjerman janë shqetësuese.

“Në fakt sepse Kosova veçse është e sanksionuar dhe po pretendohet që do të ketë edhe sanksion shtesë për shkak çështjeve të fundit të pamatura, të pakoordinuara me aleatët tanë”- tha ajo për KALLXO.com.

Përndryshe, Kadrijaj beson që Procesi i Berlinit ka qenë i vetmi ku Kosova është trajtuar e barabartë.

“Kemi pasur edhe takime dhe në nivel të parlamenteve. Në një takim që e kemi pasur në Petrovac është kërkuar nga Serbia që ne të prezntohemi me fusnotë por nuk kemi pranuar, dhe pas shumë debateve delegacioni i Serbisë e ka lëshuar sallën”- tha ajo.

Kadrijaj tha se kohëve të fundit është parë që Kosova jo që nuk po anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe se kjo qasje e Qeverisë po e izolon Kosovën dhe po e largon nga integrimi europian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur dje…