Procesi i dialogut Kosovë – Serbi do të radikalizohet

13 dhjetor 2018 | 13:21

Njohësi i proceseve politike, Belul Beqaj, ka thënë se me Serbinë duhet të kemi reciprocitet politik e jo ekonomik.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe në mënyrë indirekte është shërbim për politikën e “korrigjimit të kufirit”.

“Mendoj se mençuri racionale do të ishte sikur në këtë udhëkryq të vendosej reciprociteti politik (njohja e dokumenteve shtetërore ) e jo ai ekonomik”, ka deklaruar Beqaj.

Politologu Beqaj ka vlerësuar se pas ngjarjeve të fundit procesi i deritanishëm për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është zhvlerësuar nga ideja e korrigjimit të kufirit.

Ai ka theksuar se në këtë situatë çdo ide për vazhdimin e dialogut dhe për ekip negociues është aventurë e re.

“Procesi do të radikalizohet, madje edhe kërkesat e palëve. Mendoj se kjo nuk duhet të jetë arsye për ndarje, por për zgjidhje të problemit brenda kufijve”, është shprehur ai.

Ndërsa sa iu përket dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri të vendit, Beqaj ka deklaruar se skenari është në fazën serioze të shqyrtimit dhe, sipas tij, problemi i vogël po mundohet të zgjidhet duke krijuar një problem të madh me pasoja të paparashikueshme.

“Kreatorët e skenarit janë të gatshëm t’i sakrifikojnë 2-3 mijë kilometra katrorë të veriut me serbët që jetojnë në jug të Kosovës. Problemi i vogël po mundohet të zgjidhet duke krijuar një problem të madh, afatgjatë, regjional dhe me pasoja të paparashikueshme”, ka thënë ai.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, vendi ynë këto ditë po ballafaqohet me disa zhvillime politike të rëndësishme. Cili është komenti juaj për këto zhvillime?
Beqaj: Mendoj se pas ngjarjeve të fundit procesi i deritanishëm për normalizimin e raporteve është zhvlerësuar nga ideja e korrigjimit të kufirit. Lidershipi politik do të korrë atë çfarë ka mbjellë. Por, edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen se janë bashkëfajtorë të degradimit të shtetit me faktin se nuk po kuptojnë se roli i tyre është më i rëndësishëm se i pushteteve që nuk po i sanksionojnë, nëse nuk dëshirojnë t’i përjetojnë vazhdimisht pasojat e dështimeve të politikanëve që i kanë votuar. Shikoni çfarë po bëjnë francezët. Nëse dhjetëra herë i përsërisim gabimet e njëjta, nuk meritojmë pushtete më të mira. Ne duhet ta shikojmë veten në pasqyrë. Na mungon vetëvlerësimi real. Nuk mund të na vlerësojnë të tjerët kur ne nuk krijojmë vlera. Në vend të zhgënjimit, qytetarët duhet të kuptojnë pse francezët e detyruan Makronin t’i rishikojë politikat që i aprovoi kohë më parë kundër interesave të tyre, e shtetasit e Kosovës tolerojnë plaçkitjet flagrante të pushtetarëve. Kemi problem me vetëdijen politike. Duhet të zgjohemi!

“Epoka e re”: Si e shihni situatën në veri dhe zgjidhjen e saj pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave në këtë pjesë?
Beqaj: Skenari është në fazën serioze të shqyrtimit. Kreatorët e skenarit janë të gatshëm t’i sakrifikojnë 2-3 mijë kilometra katrorë të veriut me serbët që jetojnë në jug të Kosovës. Problemi i vogël po mundohet të zgjidhet duke krijuar një problem të madh, afatgjatë, regjional dhe me pasoja të paparashikueshme.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej thirrjeve të ndërkombëtarëve, Kosova mbetet e përkushtuar që ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Prisni të ketë rezultat ky vendim, apo presioni do ta bëjë të vetën dhe taksa do të hiqet?
Beqaj: Taksa është në mënyrë indirekte shërbim për politikën e ‘korrigjimit të kufirit’. Mendoj se mençuri racionale do të ishte sikur në këtë udhëkryq të vendosej reciprociteti politik (njohja e dokumenteve shtetërore), e jo ai ekonomik.

“Epoka e re”: Pas dështimit për liberalizimin e vizave dhe vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe, është ashpërsuar diskursi i politikës në Kosovë karshi Bashkimit Evropian. Do të ketë efekt kjo në procesin integrues?
Beqaj: Mendoj se formimi i çdo ekipi negociues është vetëm një aventurë e re në situatën kur publikisht është thënë nga kryetari i Serbisë se nuk do ta vazhdojë dialogun pa u hequr taksa e vendosur për mallrat dhe se kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, në anën tjetër deklarimi publik i kryeministrit të Kosovës se nuk do të hiqet taksa derisa Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pra, nëse i marrim parasysh këto deklarata, çdo ide për vazhdimin e dialogut duket aventurë e re, pavarësisht se nga kush do të përbëhet.

“Epoka e re”: Si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi pas këtyre zhvillimeve dhe a besoni se spektri politik në Kosovë do të mund ta gjejë formulën për arritjen e një konsensusi për dialogun?
Beqaj: Procesi do të radikalizohet, madje edhe kërkesat e palëve. Mendoj se kjo nuk duhet të jetë arsye për ndarje, por për zgjidhje të problemit brenda kufijve.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, pavarësisht prej vërejtjeve të NATO-s, Kosova me mbështetjen e ShBA-së të premten do t’i votojë projektligjet që kanë për synim transformimin e FSK-së në ushtri. Çfarë mendimi keni për ecurinë e këtij procesi?
Beqaj: Ballkani është ndër shekuj ‘fuqi baroti’. Në vend se të demilitarizohet, ende luftëtarët po i bëjnë politikat. Serbia nuk ka nxjerr kurrfarë mësimi nga e kaluara, Kosova po mundohet ta imitojë Serbinë. NATO-ja e ka krijuar shtetin, NATO do të mbetet në Kosovë derisa Kosova të anëtarësohet në NATO. Më mirë ta kemi NATO-n në Kosovë sesa të rinjtë tanë t’i dërgojmë në misione të NATO-s.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani do të dënohet nga UEFA, por vendimi për dënim…