Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, Osmani takon shoqërinë civile
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët ka diskutuar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.
Presidentja Osmani ka falënderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile për pjesëmarrjen aktive në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, duke nënvizuar se çdo rekomandim i identifikuar përgjatë procesit do të shqyrtohet me kujdes të veçantë.
“Është thelbësore që çdo emërim të jetë rezultat i një procesi transparent dhe të drejtë, dhe çdo kandidat të ketë integritet të dëshmuar përgjatë karrierës. Këto janë parime themelore të cilat i kam ndjekur në çdo emërim që kam bërë”, ka thënë presidentja Osmani.
Është bërë me dije se presidentja Osmani do t’i vazhdojë konsultimet edhe me akterë të tjerë të përfshirë në këtë proces për t’u siguruar që procesi ka qenë i drejtë dhe i pranueshëm.