Procesi i riakreditimit, shumë takime për një Universitet të shekullit XXI
Të hënën dhe të martën ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim do të zhvillojë takime në Rektorat dhe hapësira tjera të Universitetit të Prishtinës në kuadër të procesit të riakreditimit institucional.
Në ditën e parë të ngjarjes më të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës, rektori Arben Hajrullahu me prorektorët Albana Berisha Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha dhe zëvendëskryesuesen e Këshillit Drejtues Arbresha Turjaka, janë takuar me ekipin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Ekipi i ekspertëve i përbërë nga profesorët Melita Kovacevic, Magdalena Platis, Mauro Zarrelli dhe zonja Marija Vasilevska, bashkë me zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim: drejtorin e përgjithshëm Naim Gashi, drejtorin e Departamentit për Vlerësim dhe Akreditim Arianit Krasniqi dhe koordinatoren Shpresa Shala, erdhën në Rektorat dhe hapësirat tjera të Universitetit të Prishtinës për të parë nga afër ambientet e mësimit, punën e personelit dhe gjithë atë që u ofrohet studentëve në këtë universitet.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të hapura me pyetje – përgjigje mes përfaqësuesve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe Menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të procedurave të riakreditimit, janë paraparë edhe takime të grupit nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës me trupat e Universitetit të Prishtinës për sigurim të cilësisë, profesorët, studentët dhe të diplomuarit.
Në fund, vizita e ekspertëve dhe përfaqësuesve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim do të përfundojë pas takimit përmbyllës me Menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës.