Procesi i vaksinimit, qeveria ndan mbi 88 mijë euro për angazhimin e 50 infermierëve shtesë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë mbi 88 mijë euro për angazhimin e 50 infermierëve në procesin e vaksinimit.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kërkuar që të ndahen 88 mijë e 620 euro për angazhimin e këtyre infermierëve, duke thënë se ky numër tejkalon numrin e paraparë në planin e veprimit për vaksinimin në masë.
“Propozim vendimi ka për qëllim ndarjen e mjeteve në vlerë prej 88 mijë e 620 eurove për angazhimin e 50 infermierëve për procesin e vaksinimit, pasi që ky numër tejkalon numrin e infermierëve të paraparë në planin e veprimit për vaksinimin në masë të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai.
Vitia e ka parë të nevojshme angazhimin e këtyre infermierëve të cilët janë në listën e pritjes, duke u bazuar në situatën me pandeminë dhe kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve për vaksinim, sidomos në Komunën e Prishtinës ku pritjet për një termin nganjëherë janë më shumë se një javë.
“Duke u nisur nga situata aktuale me pandeminë Covid-19, kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve sidomos në Komunën e Prishtinës, në sallën 1 Tetori për vaksinim dhe si nisur nga fakti që për këtë komunë çdo herë rezervohen termine për disa ditë, nganjëherë edhe më shumë se një javë, propozoj ndarjen e mjeteve në vlerë prej për angazhimin e 50 infermierëve në procesin e vaksinimit të cilët janë në listën e pritjes në Ministrisë së Shëndetësisë. Mjetet e ndara merren nga programi i rimëkëmbjes ekonomike”,është shprehur ministria Vitia.