Procesi krijues

01 dhjetor 2021 | 08:26

JAMES BALDWIN

Ndoshta dallimi kryesor mes artistit dhe të tjerëve është se ai duhet të zhvillojë vazhdimisht atë gjendje që shumica e njerëzve duhet ta shmangin patjetër, gjendjen e të qenit vetëm. Që të gjithë njerëzit janë vetëm, kur gjendja bëhet e pashpresë, është diçka e rëndomtë sepse thuhet kaq shpesh, por rrallë, shumë rrallë, besohet. Shumica prej nesh nuk është e detyruar të mbetet te vetëdija për vetminë tonë, sepse është një njohuri që mund t’i paralizojë të gjitha veprimet në këtë botë. Ka dhe do të ketë gjithmonë këneta që duhet të thahen, qytete që duhet të ndër­tohen, miniera që duhet të shfrytëzohen, fëmijë që duhet të ushqehen. Asnjë nga këto gjëra nuk mund të bëhet vetëm. Por pushtimi i botës fizike nuk është detyra e vetme e njeriut. Atij i kërkohet të pushtojë pyllin e madh, të shkretë të vetes. Roli i vërtetë i artistit, pra, është ta ndriçojë atë errësirë, të ndrijë në rrugët e atij pyll të gjerë, në mënyrë që ne, pavarësisht nga veprimet tona, të mos e humbim nga sytë qëllimin, i cili është, në fund të fundit, ta bëjmë botën një vendbanim më njerëzor.

Gjendja e të qenit vetëm s’ka për qëllim thjesht të na kujtojë një zhurmë fshati pranë ndonjë liqeni me vezullim të argjendtë. Vetmia për të cilën po flas është shumë më tepër se vetmia e lindjes ose e vdekjes. Është si vetmia që ti sheh në sytë e dikujt që vuan dhe nuk mund ta ndihmojmë. Ose është si vetmia e dashurisë, e forcës dhe misterit që kaq shumë e kanë lavdëruar dhe kaq shumë e kanë mallkuar, por që askush nuk i ka kuptuar ndonjëherë ose nuk ka qenë në gjendje t’i kon­trollojë. Po e parashtroj çështjen në këtë mënyrë, jo nga ndonjë dëshirë për të ngjallur keqardhje për artistin – Zot na ruaj! – por për të sugjeruar se sa e përafërt, në fund të fundit, është gjendja e tij me gjendjen e të gjithëve, dhe po provoj ta bëj të gjallë përpjekjen e tij. Gjendja e lindjes, vuajtjes, dashurisë dhe vdekjes janë gjendje të skajshme, universale dhe të pash­mangshme. Të gjithë e dimë këtë, por do të parapëlqenim të mos e dinim. Artisti është i pranishëm për t’i zhdukur iluzio­net, pre e të cilave biem në përpjekjet tona për ta shmangur këtë njohuri.

Është kjo arsyeja pse të gjitha shoqëritë kanë luftuar me prishësin e pandreqshëm të paqes – artistin. Dyshoj që shoqë­ritë e ardhshme do të tregohen më të mira me të. Qëllimi i vetëm i shoqërisë është të krijojë një ledh mbrojtës ndaj kaosit të brend­shëm dhe të jashtëm në mënyrë që ta bëjë jetën të durueshme dhe ta mbajë gjallë racën njerëzore. Dhe është absolutisht e pashmangshme që kur zhvillohet një traditë, njerëzit, në përgjithësi, do të hamendësojnë se ajo ka ekzistuar që para fillimit të kohës dhe s’do të kenë vullnetin dhe as aftësinë të mendojnë për ndonjë ndryshim të saj. Ata nuk e dinë se si do të jetojnë pa ato tradita që u kanë dhënë identi­tetin. Reagimi i tyre, kur sugjerohet se mund ose duhet të bëhet, është paniku. Dhe ne e shohim këtë panik, mendoj, kudo në botë sot, nga rrugët e Nju Orliënsit në fushëbetejën e ashpër të Algjerisë. Dhe një nivel më i lartë i vetëdijes te njerëzit është shpresa e vetme që kemi, tani ose në të ardhmen, për ta zvogëluar dëmin njerëzor.

Artisti dallohet nga të gjithë aktorët e tjerë të përgjegjshëm të shoqërisë – politikanët, ligjvënësit, edukatorët dhe shkencë­tarët – nga fakti që ai është vetë prova, është vetë laboratori ku ai punon sipas rregullave shumë të rrepta, sado të pashpre­hura dhe nuk mund të lejojë në asnjë mënyrë ta zëvendësojë përgje­gjësinë për të zbuluar gjithçka që mundet në lidhje me misterin e qenies njerëzore. Shoqëria duhet t’i pranojë disa gjëra si reale, por ai gjithmonë duhet ta dijë se realiteti i dukshëm fsheh një realitet më të thellë dhe se i gjithë veprimi dhe arritja jonë mbështetet në gjërat që nuk shihen. Një shoqëri duhet të hamendësojë se është e qëndrueshme, por artisti duhet ta dijë dhe duhet të na tregojë se nuk ka asgjë të qëndrueshme nën diell. S’mund të ndërtosh një shkollë, të mësosh një fëmijë, ose të ngasësh një makinë pa i marrë disa gjëra si të mirëqena. Artisti nuk mund dhe nuk duhet të marrë asgjë si të mirëqenë, por duhet të depërtojë në thelb të çdo përgjigjeje dhe të ngrejë pyetjen që fsheh përgjigjja.

Duket sikur po bëj pohime krejt të pazakonshme për një racë burrash dhe grash historikisht të nënçmuar edhe pse vlerësohen dhe çmohen pasi kanë vdekur. Por, në njëfarë mënyre, nderimi i vonuar që të gjitha shoqëritë u bëjnë arti­stëve të tyre provon realitetin e asaj që po përpiqem të them. Po përpiqem ta bëj të qartë natyrën e përgjegjësisë së artistit ndaj shoqërisë së tij. Natyra e veçantë e kësaj përgjegjësie është se ai kurrë nuk duhet të pushojë së luftuari për të, për hir të saj dhe për vetën e tij. Sepse e vërteta, pavarësisht nga ajo që duket dhe të gjitha shpresat që kemi, është se gjithçka po ndryshon gjithmonë dhe shkalla e pjekurisë sonë si kombe dhe si burra ka të bëjë me atë se sa të përgatitur jemi t’i përmbushim këto ndryshime dhe t’i përdorim për shëndetin tonë.

Kushdo që ka qenë ndonjëherë i detyruar të mendojë për këtë çështje, kushdo, për shembull, që ka qenë ndonjëherë i dashuruar, e di se fytyra e vetme që s’mund të shohë kurrë vazhdimisht, është fytyra e vet. I dashuri i dikujt – ose vëllai, ose armiku – e sheh shprehjen e fytyrës tënde, dhe kjo fytyrë mund të shkaktojë reagime nga më të jashtëzakonshmet. Në thelb, bëjmë gjërat që bëjmë dhe ndiejmë atë që ndiejmë sepse duhet dhe jemi përgjegjës për veprimet tona, por ato rrallë i kup­tojmë. Vetëkuptohet, besoj se nëse do ta kuptonim veten më mirë, do ta dëmtonim veten më pak. Por pengesa midis vetes dhe njohurive të dikujt për veten është me të vërtetë e lartë. Ka kaq shumë gjëra që njeriu parapëlqen të mos i dijë!

Bëhemi krijesa shoqërore sepse nuk mund të jetojmë në asnjë mënyrë tjetër. Por, për t’u bërë shoqëror, janë shumë gjëra të tjera që s’duhet të bëhemi dhe ne kemi këto forca brenda nesh që e rrezikojnë vazhdimisht sigurinë tonë. Por gjithsesi këto forca janë aty: nuk mund t’i zhdukim. Ne, thjesht, mund të mësohemi të jetojmë me to, por nuk mund të përballemi me to nëse s’jemi të gatshëm të themi të vërtetën për veten tonë, dhe e vërteta për ne është gjithmonë në kundërshtim me atë që dëshirojmë të jemi. Përpjekja njerëzore është t’i vendosë këto dy realitete në një marrëdhënie që i ngjan bashkërendi­mit. Qeniet njerëzore të cilat i respektojmë më shumë dhe ndonjëherë u frikësohemi më shumë, janë ato që përfshihen më fort në këtë përpjekje delikate dhe të madhe, sepse ato fitojnë autoritetin e palëkundur që u jep vështrimi në thellësi, durimi dhe mbijetesa ndaj më të keqes. Kombi më i shën­detshëm është ai që ka më së paku nevojë të jetë mosbesues ose t’i largojë artistët, të cilët, sipas meje, i nderojnë pasi të kenë vdekur, sepse diku në zemrat tona e dimë që nuk mund të jetojmë pa ta.

Rreziqet e të qenit artist amerikan nuk janë më të mëdha se ato të të qenit artist kudo tjetër në botë, por ato janë shumë më të veçanta. Këto rreziqe krijohen nga historia jonë. Ato mbështeten në faktin se për ta pushtuar këtë kontinent, vetmia e veçantë për të cilën po flas, vetmia në të cilën dikush zbulon se jeta është tragjike dhe për këtë arsye në mënyrë të jashtëza­konshme e bukur, nuk mund të lejohet. Dhe që ky pengim është tipik për të gjitha kombet e reja nuk kam dyshim se do të provohet në shumë mënyra gjatë pesëdhjetë vjetëve të ardhshme. Ky kontinent tani është pushtuar, por zakonet dhe frika jonë mbesin. Dhe, nëse bëhesh qenie njerëzore shoqërore, njeriu disa gjëra i ndryshon dhe disa të tjera i shtyp, në fund të fundit, pa ndonjë guxim të madh, dhe gënjen veten për të gjithë bren­dinë e tij, kaosin e pazbuluar, kështu që edhe ne, si komb, kemi ndryshuar ose shtypur dhe gënjyer për të gjitha forcat e errëta në historinë tonë. Ne e dimë, në rastin e personit, që kushdo që s’mund t’i thotë vetes të vërtetën për të kaluarën e tij, është i zënë në këtë kurth, është i paralizuar në burgun e vetes së tij të pazbuluar. Kjo është, gjithashtu, e vërtetë për kombet.

Ne e dimë se si një individ, me një paralizë të tillë, nuk është në gjendje të vlerësojë as dobësitë dhe as pikat e tij të forta, dhe sa shpesh i ngatërron këto të dyja. Dhe mendoj se këtë po bëjmë. Ne jemi kombi më i fortë në botën perëndimore, por kjo nuk është për arsyet që ne mendojmë. Jemi sepse kemi një mundësi që s’e ka asnjë komb tjetër për të shkuar përtej koncep­teve të Botës së Vjetër për racën, klasën dhe kastën, për të krijuar, më në fund, atë që duhet të kishim në mendje kur filluam të flisnim për Botën e Re. Por çmimi i kësaj është një vështrim i gjatë pas, andej nga kemi ardhur, dhe një vlerësim i palëkundur i historisë sonë. Për një artist shënimet e këtij udhëtimi zbulohen më qartë te personalitetet e njerëzve që krijoi udhëtimi. Shoqëritë s’e dinë asnjëherë, por lufta e një artisti me shoqërinë e tij është një luftë dashurie dhe ai bën, në rastin më të mirë, atë që bëjnë të dashuruarit, që do të thotë ta zbulojë të dashurin para vetes dhe, me këtë zbulim, ta bëj lirinë të vërtetë.

(Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”. Përktheu: Granit Zela)

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
THEODOR HERZL përpjekje për një zgjidhje moderne të çështjes së…