Procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë këtë vit
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar se rekomandimi për heqjen e vizave për Kosovën paraqet një çast të rëndësishëm për realizimin e një të drejte të shumëpritur.
Duke u bazuar në përmbushjen e kritereve dhe takimet me përfaqësuesit e BE-së, ajo ka shprehur optimizëm se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të përfundojë këtë vit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Deliu-Kodra ka theksuar se aprovimi i vendimit për vizat do të jetë më i lehtë në Parlamentin Evropian, ndërsa më kompleks në Këshillin e Ministrave.
Ajo ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës do ta kenë një dinamikë të re të lobimit për liberalizimin e vizave për t’i bindur vendet anëtare të BE-së se kosovarët nuk do ta keqpërdorin këtë proces.
Sa i përket fazës finale të dialogut me Serbinë, deputetja Deliu- Kodra ka thënë se ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.
Ajo ka bërë me dije se Kuvendi do të ketë rol të rëndësishëm në këtë proces, sidomos kur kemi parasysh faktin se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend.
“Partitë politike, e sidomos partitë opozitare, duhet të bëhen pjesë e dialogut, meqë në procesin final përfshirja e opozitës është e nevojshme dhe bojkotimi i opozitës nga një proces i tillë nuk është zgjidhje”, ka thënë Deliu-Kodra.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)