Procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë këtë vit
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë të enjten se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të përfundojë këtë vit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se aprovimi i rekomandimit për vizat do të jetë më i lehtë në Parlamentin Evropian, ndërsa më kompleks në Këshillin e Ministrave.
“Dhënia e një date të saktë për këtë proces do të ishte një paragjykim i vendimmarrjes së dy institucioneve të Bashkimit Evropian, pasi ky proces është i tëri vullnet politik i anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, bazuar në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe bazuar në takimet tona të ndryshme që kemi pasur me përfaqësues të institucioneve të BE-së shpresojmë se ky proces të përfundojë gjatë këtij viti”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ajo ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës do ta kenë një dinamikë të re të lobimit për liberalizimin e vizave për t’i bindur vendet anëtare të BE-së se janë plotësuar kushtet dhe se kosovarët nuk do ta keqpërdorin liberalizimin.
“Pra puna, përpjekjet tona dhe mobilizimi vazhdojnë edhe pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, më lejoni ta quaj në zhargonin futbollistik, tashmë jemi në finale, ku më shumë se kurrë ne duhet të jemi më dinamikë në procesin e lobimit dhe prezantimit të punës sonë tek të gjithë aktorët e procesit vendimmarrës. Prandaj komisioni do të ketë edhe një dinamikë të re të lobimit edhe në këtë fazë. Përveç kësaj, institucionet tona duhet ta vazhdojnë kampanjën për vetëdijesimin e qytetarëve me të drejtat dhe përgjegjësit nga procesi i liberalizimit”, është shprehur Deliu-Kodra, duke shtuar se Kuvendi ka prioritet kombëtar agjendën e integrimeve evropiane.
“Bazuar në këtë prioritet të përbashkët kombëtar nuk e shoh si problem apo nuk do të duhej të ishte problem konsensusi nacional sa iu përket temave që ndërlidhen me agjendën e integrimit evropian. Agjenda evropiane ngërthen në vete edhe miratimin e legjislacionit që drejtpërdrejt ndërlidhen me këtë agjendë dhe mosmiratimi i këtyre ligjeve do ta ngadalësonte dinamikën e procesit të integrimit evropian”, ka theksuar ajo.
Sa i përket fazës finale të dialogut me Serbinë, deputetja Deliu-Kodra ka thënë se ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit. Ajo ka bërë me dije se Kuvendi do të ketë rol të rëndësishëm në këtë proces, sidomos kur kemi parasysh faktin se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend. “Partitë politike, e sidomos partitë opozitare, duhet të bëhen pjesë e dialogut, meqë në procesin final përfshirja e opozitës është e nevojshme dhe bojkotimi i opozitës nga një proces i tillë nuk është zgjidhje”, ka thënë Deliu-Kodra.
“Epoka e re”: Znj. Deliu-Kodra, tashmë Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës por, megjithatë, ende ka procedura deri në fazën finale kur mund të udhëtohet pa viza. Besoni se ky vendim do të miratohet edhe nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave
Deliu-Kodra: Komisionari i Migracionit dhe Çështjeve të Brendshme, z. Avramopoulos, të mërkurën konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e caktuara për liberalizimin e vizave. Ky rekomandim për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës paraqet një moment të rëndësishëm për realizimin e një të drejte të shumëpritur për udhëtim të lirë dhe pa viza në shtetet e Zonës Shengen. Me të drejtë potencuat se ende ka procedura deri në fazën finale dhe rekomandimi pozitiv i dhënë nga Komisioni Evropian paraqet fazën e parë në këtë proces. Dy institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, duhet ta vendosin (konfirmojnë) qëndrimin e Komisionit Evropian, ku procedura vendimmarrëse në Parlamentin Evropian për këtë proces është më lehtë e realizueshme sesa ajo në Këshillin e BE-së, ku vendimmarrja është më komplekse. Bazuar në këtë dhe duke pasur parasysh qëndrimin e shprehur publikisht nga europarlamentarët, besojmë se ky vendim do të miratohet brenda vitit në Parlamentin Evropian, ndërsa shpresojmë se edhe Këshilli do ta miratojë këtë vendim.
“Epoka e re”: Kur do të mund të hyjë në fuqi ky vendim, pra qytetarët të udhëtojë pa viza në Zonën Shengen?
Deliu-Kodra: Dhënia e një date të saktë për këtë proces do të ishte një paragjykim i vendimmarrjes së dy institucioneve të Bashkimit Evropian, pasi ky proces është i tëri vullnet politik i anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, bazuar në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe bazuar në takimet tona të ndryshme që kemi pasur me përfaqësues të institucioneve të BE-së, shpresojmë se ky proces të përfundojë gjatë këtij viti.
“Epoka e re”: Ju si komision dhe si Kuvend, përfshirë pozitën dhe opozitën, a keni ndonjë strategji për të lobuar tek institucionet e BE-së që kjo çështje të përfundojë me sukses, pra të mos anashkalohet apo të lihet për vitin tjetër?
Deliu-Kodra: Duke pasur parasysh rëndësinë e lobimit tek institucionet e Bashkimit Evropian për përfundimin e procesit të liberalizimit gjatë këtij viti, Kuvendi ka krijuar një grup të përbërë nga deputetë/përfaqësues të partive politike me qëllim të lobimit te shtetet anëtare të Zonës Shengen, grup ky i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që ka për qëllim prezantimin e punës sonë institucionale dhe, po ashtu, lobimin për t’i bindur shtetet anëtare se qytetarët e vendit tonë meritojnë të lëvizin lirshëm. Ndërsa në cilësinë e kryetares së Komisionit për Integrime Evropiane dhe me anëtarët e tjerë të këtij komisioni kemi zhvilluar takime dhe do të vazhdojmë të kemi takime me përfaqësues të ndryshëm, ambasadorë të akredituar në Prishtinë, nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim të prezantimit të punës sonë për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por jo vetëm, por edhe të përpjekjeve të vazhdueshme me qëllim të avancimit të agjendës sonë evropiane në përgjithësi. Pra, puna, përpjekjet tona dhe mobilizimi vazhdojnë edhe pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, më lejoni ta quaj në zhargonin futbollistik, tashmë jemi në finale, ku më shumë se kurrë ne duhet të jemi më dinamikë në procesin e lobimit dhe prezantimit të punës sonë tek të gjithë aktorët e procesit vendimmarrës. Prandaj komisioni do të ketë edhe një dinamike të re të lobimit edhe në këtë fazë. Përveç kësaj, institucionet tona duhet ta vazhdojnë kampanjën për vetëdijesimin e qytetarëve me të drejtat dhe përgjegjësit nga procesi i liberalizimit.
“Epoka e re”: Si e vlerësoni punën e Kuvendit në përgjithësi, në veçanti përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane? Deri më tani po ka problem në funksionimin e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit. Edhe sa mund të vazhdohet kështu?
Deliu-Kodra: Me të gjitha sfidat e veta që ka bartur ky proces, Kuvendi më në fund arriti ta tejkalojë suksesshëm përmbushjen e kriterit të vetëm të mbetur sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Partitë politike në përgjithësi, edhe Kuvendi në veçanti, ka prioritet kombëtar agjendën e integrimeve evropiane. Bazuar në këtë prioritet të përbashkët kombëtar, nuk e shoh si problem, apo nuk do të duhej të ishte problem konsensusi nacional sa iu përket temave që ndërlidhen me agjendën e integrimit evropian. Agjenda evropiane ngërthen në vete edhe miratimin e legjislacionit që drejtpërdrejt ndërlidhen me këtë agjendë dhe mosmiratimi i këtyre ligjeve do ta ngadalësonte dinamikën e procesit të integrimit evropian.
“Epoka e re”: Znj. Deliu-Kodra, dialogu për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazën finale. Cili do të jetë roli i Kuvendit në këtë proces, dhe a do të mund të arrihet përkrahja e opozitës?
Deliu-Kodra: Faza e fundit e dialogut ka peshën e vet dhe, si e tillë, është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit. Kuvendi pa dyshim se do të ketë rol të rëndësishëm në këtë proces, sidomos kur kemi parasysh faktin se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend. Partitë politike, e sidomos partitë opozitare, duhet të bëhen pjesë e dialogut, meqë në procesin final përfshirja e opozitës është e nevojshme dhe bojkotimi i opozitës nga një proces i tillë nuk është zgjidhje.
Shqipe HETEMI