Procesi mësimor shtyhet deri më 13 shtator, flet ministrja

28 gusht 2021 | 18:12

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-covid, të cilat hynë në fuqi që nga nesër. Ndër masat e parapara është shtyrja e procesit mësimor deri më 13 shtator, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se vendimi është marrë me rekomandim të IKSHPK-së dhe ekspertëve shëndetësorë.

Ajo ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që mësimi të fillojë me prezencë të plotë të nxënësve në shkolla.

“Me vendimin e fundit të Qeverisë, njëra nga rekomandimet sipas IKSHPK-së dhe ekspertëve shëndetësorë është që të shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor 2021/2022 deri më 13 shtator të këtij viti. Ashtu sikurse ju kemi njoftuar edhe përpara, të gjitha përgatitjet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollorë janë bërë si nga shkollat, drejtoritë komunale të arsimit, ashtu edhe nga MAShT-it. Ne kemi rishikuar udhëzuesin për fillimin e vitit të ri, kemi shtuar edhe skenarin për rikthimin e plotë dhe të sigurt të fëmijëve në shkolla”, ka thënë Nagavci.

Më tutje, ministrja ka dhënë detaje edhe për mësimdhënësit e vaksinuar kundër virusit Covid-19.

“Ju njoftoj se sipas të dhënave të DKA-ve, deri më datën 25 të këtij muaji, jemi njoftuar se më shumë se 72.30% të mësimdhënësve dhe stafit tjetër janë vaksinuar tashmë. Prej tyre 34.32% kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës ndërsa të tjerët veçse e kanë përcaktuar terminin për vaksinim, por tashmë veç kjo nuk mjafton”, ka thënë ajo.

Ndërkohë sot Qeveria e Kosovës, ka shtrënguar masat kundër virusit Covid-19, pas rritjes së rasteve pozitive javëve të fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fiorentina ka nënshkruar zyrtarisht me Alvaro Odriozola në huazim nga…